Jam musliman, agjëroj por luaj bastore, A është e vërtet se kot agjëroj? Ja si i përgjigjet Hoxha
Pyetja: Unë jam musliman, por luaj bastore, dhe atë gjatë kohë. E di se nuk bën, por ja mashtrohem. Mirëpo, në jetën time asnjiherë nuk e kam prishur Ramazanin. Disa me thonë se kot agjëroj, pasi luaj bastore. A është e vërtetë se kot agjëroj, dhe çka të bëj të agjëroj apo mos të agjëroj, sepse ende luaj bastore?
Bashkim Aliu, teolog
Përgjigja: Së pari, e lus Allahun të na udhëzoje të gjithëve në rrugën e Islamit dhe të na falë mëkatet e të na mbulojë turpet.
Bastoret janë të ndaluara në fenë Islame, pra janë haram, dhe çdo musliman duhet të mos bëj një veprim të tillë, ngase bën mëkat dhe bën haram. Bastoret janë formë e bixhozit që Allahu i Madhërishëm e ka ndaluar. Në Kur’an qëndron:<>[El-Maide: 90] Për këtë, muslimani e ka obligim që të largohet nga këto veprime të cilat janë punë shejtani dhe janë të ndaluara nga Allahu i Madhërishëm, dhe ti duhet, të bësh ç’mos, që të largohesh nga ky haram që ka marrë përmasa të mëdha në vendet tona dhe gjithandej nëpër botë.
Nga ana tjetër, agjërimi i Ramazanit është farz-obligim për muslimanin i cili i plotëson kushtet, dhe ai që nuk e agjëron Ramazanin, ka bërë shkelje të urdhërit të Allahut, ngase agjërimi i Ramazanit është obligim nga ana e Allahut, i Cili këtë obligim e ka shpallur në Kur’an. Për atë, ai që nuk agjëron, ka lënë pas dore një urdhër të Allahut, një detyrë fetare-farz, dhe me këtë ka bërë mëkat.
Bastoret janë haram, ndërkaq agjërimi i Ramazanit është obligim, dhe harami nuk mund ta pezullojë farzin. Për atë, nëse ti luan bastore, ti bën nji haram, por nëse e prish agjërimin dhe nuk e agjëron Ramazanin, ke bërë nji gabim tjetër me atë që ke lënë pas dore nji obligim fetar-farz, dhe me këtë e ke ngarkuar veten edhe më tepër me gjynahe.
Adhurimet obligative si agjërimi i Ramazanit, si dhe të gjitha adhurimet tjera, janë për ne që të na pastrojnë shpirtërisht, të na furnizojnë me devotshmëri, të na ngrisin më lartë në aspektin shpirtëror dhe moral, si dhe të na largojnë prej harameve. Kjo don të thotë se duhet t’i kryejmë adhurimet që ta ndihmojmë veten të largohemi nga haramet, e jo t’i lëmë pas dore adhurimet për shkak harameve, me çka e ngarkojmë veten ende me mëkate dhe ia realizojmë dëshirën shejtanit që të na largojë sa më tepër nga rruga e Allahut.
Për këtë, nuk mba thënia se, nëse e bën nji haram të tillë, si bastoret, të cilin e di dhe e beson se është haram, nuk duhet të agjërosh në Ramazan se agjërimi është kot. Jo, kjo është gabim dhe nu thotë feja kështu. Ndoshta dikush mund të ta thotë për të të frikësuar që të largohesh nga harami, por, duhet patur kujdes se kjo është shpatë me dy teha, poashtu, mund të ndikojë që të largohesh edhe nga ndonji farz, siç është agjërimi i Ramazanit. Haramet nuk guxojnë t’i dominojnë adhurimet, por e kundërta duhet të jetë, adhurimet duhet t’i dominojnë haramet.
Dera e pendimit te Allahu nuk është e mbyllur, për atë, shpejto të futesh në atë derë, se Allahu e pranon pendimin, dhe njerëzit gabojnë, por gabimtar më i mirë është ai që pendohet, dhe gabimtar i humbur është ai që nuk pendohet. Le të jetë edhe Ramazani, nji mundësi e mirë për pendim dhe largim nga haramet, edhe pse besimtari çdo herë duhet ta bëjë këtë, dhe le të jetë agjërimi yt forcë që do të largojë nga haramet dhe do të afrojë kah Allahu.
Normalisht ne duhet të jemi robër të Allahut e jo të diçkaje tjetër, dhe çdo herë duhet ta kemi parasysh se Allahu e di çka bëjmë ne dhe na regjistron. Le të shpejtojmë të pendohemi, dhe assesi mos të lejojmë të zbrapsemi nga zbatimi i
detyrave fetare që na i ka obliguar Allahu i Madhërishëm.