Sport

Lorik Cana e pohon: Shqipëria është kombëtare, mos ngatërroni gjërat!

Shpërndaje

Kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, po shijon lënien e sportit dhe ka mbetur aktiv sërish për futbollin. Ai ka hapur fondacionin e tij dhe po udhëton në të gjitha trojet shqiptare për të transmetuar mesazhe pozitive në lidhje me përhapjen e sportit. Ish-mbrojtësi dha një intervistë të gjatë për karrierën e tij, nga kombëtarja te klubet, por dhe te planet pas sportit.

Planet aktuale – “Karriera mbyllet herët dhe kur vjen ai moment mendon çfarë do bësh. Unë e ndjej veten me fat, pasi kam bërë gjithçka mundem që të merrem me projekte që më pëlqejnë dhe më tërheqin. Flas për fondacionin dhe kompaninë. Dua të jap kontribut për komunitetin. Po merremi me fëmijët dhe është përgjegjësi e madhe të investojmë te brezat e rinj. Ishte me rëndësi të bëja diçka sa isha i freskët. Kam qenë gjithmonë i hapur të mësoj gjëra të reja, të mësoj fusha të reja. Kam bërë investime të ndryshme. Dua të bëhem drejtor sportiv”.

Kualifikimi në Europian – “Kam disa momente të bukura në karrierë, sigurisht mbetet kualifikimi në Europian. Ishte realizimi i një ëndrre dhe sakrifice i një punë 13-vjeçare. Imagjinoni kur nisni diçka që është shumë larg dhe të duket ëndërr, ndërsa në fund e realizon. Dy-tre ditë para ndeshjes me Armeninë humbëm dhe jemi sharë. Gjithsesi nuk ishte shumë e rëndësishme, e rëndësishme ishte t’ia realizonim shqiptarëve atë dëshirë. Ka qenë momenti më krenar për mua si sportist. Edhe ndeshja me Greqinë ka qenë interesante, por jo në krahasim me kualifikimin. Ishte fillimi, ata ishin kampionë Europe. Kualifikimi ishte tjetër arritje”.

E ardhmja – “Nuk më tërheq të bëhem menaxher, dua të përfshihem si drejtues në të ardhmen. Mendoja moshën 36 vjeç për ta nisur. U tërhoqa nga futbolli për shkak të një problemi shëndetësor. Kur isha 32 vjeç e mësova se mund të luaja edhe një vit, jo më shumë. Kjo më bëri të mendoj se çfarë do të bëja më tej. Të përfshihem në futboll duhet kohë dhe licenca. Duhen shumë gjëra për të cilat duhet të përgatitesh. Jam i bindur se është zgjedhja ime. Nuk e shoh veten trajner, e keni parë që ka shumë stres. Me investime jam marrë edhe gjatë futbollit. Disa kanë qenë të suksesshme, disa jo. Tani kam menduar të investoj te fusha e teknologjisë dhe është eksperienca e parë në këtë fushë”.

Kosova – “Shqiptarët kanë një kombëtare, por kanë edhe një përfaqësuese tjetër tani. Mos t’i ngatërrojmë emrat, duket një detaj por është shumë e rëndësishme. Kombëtarja është një dhe nuk ka tjetër. Është ajo që është e kuqe, ajo është me simbolin kombëtar dhe nuk ka të tjera. Krejt të tjerat janë përfaqësuese. Kosova ka momentin e vet dhe duhet të jetë për të mirën e të gjithëve sa më e suksesshme. Këtu flasim për ajkën, ata që e përfaqësojnë sportin. Diferencën e bën ai që investon në vendin e tij, jo ai që merr nga jashtë më të mirët. Nuk kam pretendime të jem trajner i Shqipërisë apo i Kosovës. Në botën drejtuese i kam pretendimet e mia, por i kam për jashtë. Nuk e kam synimin të bëhem president federate, të paktën jo tani. Interesante është të bëjmë një turne të përbashkët futbolli. Për momentin nuk kam asnjë plan të përfshihem në ndonjë detyrë zyrtare”