Pa shtëpi dhe pa familje, 60-vjeçarja kërkon strehim
Zakonisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit shtohen edhe aktivitete për bamirësi, por edhe gjithnjë ka njerëz që kërkojnë ndihmë. E tillë është edhe 60 vjeçarja Afize Hamidi, e cila endet gjithandej për të kërkuar ndihmë në rrugët e Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Disa ditë me radhë ajo del në rrugë për të kërkuar ndihmë dhe thotë se nuk ka njerëz të afërm të saj që do të kujdeseshin për atë. Është nga rrethina e Gostivarit, nga fshati Gradec në Dobërdoll. Pas vde.kjes së burrit, ajo ka mbetur në rrugë pa asnjë përkujdesje. Thotë se jeton e vetme. “Burri më ka vde.kur, djalë nuk kam. Jetoj vetëm, pa asnjë ndihmë, nuk kam ku të shkoj, kam mbetur rrugëve”, thotë Afize Hamidi, 60 vjeçarja nga Gradeci e cila kërkon ndihmë nga ata që kanë mundësi ta ndihmojnë.
Momentalisht jeton tek motra e saj, por sipas saj, edhe motra nuk ka mundësi që të përkujdeset më shumë. “Unë jetoj tek motra, ajo më mban me ushqime me të gjitha, por edhe është shumë rëndë, nuk mundet edhe ajo që të më mbajë çdo herë dhe të kujdeset edhe për mua, ka edhe ajo familjen për të cilën duhet të kujdeset”, sqaron ajo, duke lutur vazhdimisht dhe duke përsëritur fjalët se kërkon ndihmë.
Por krahas skamjes, mbetjes në rrugë dhe barnave që përdor zakonisht për shëndetin e saj, ajo kërkon që të ketë edhe një strehë.
“Unë kërkoj një kulm ta kem mbi kokë, se nuk kam ku të shkoj, jam rrugëve. Një shtëpi, një odë, një vatan ku do të jetoj. Jam pa shtëpi, pa fëmijë jam, djalë nuk kam, kam ndenjur tek motra edhe motra nuk ka mundësi shumë që të më mbajë, është me një dhomë, me qira është edhe ajo. Nuk kam ku të shkoj, të mbetem rrugë, do të më kafshojnë qentë”, apelon Afizja e cila, mezi lëviz, në këtë moshë të thyer, por edhe nga pamundësia që të ketë ndokënd afër saj.
Ajo është shprehur se krahas asaj që është pa ndihmë, pa shtëpi dhe ka mbetur në rrugë, kohëh më të madhe të ditës e kalon duke kërkuar lëmoshë gjithandej në Tetovë. Ajo ka nevojë për strehim sepse është e vetme dhe pa asnjë njeri pranë saj. “Nuk dua shtëpi të madhe, por vetëm një dhomë, një vend ku do të jem më e sigurt se sa në rrugë, kam mbetur e shkretë dhe pa askënd”, thotë Afize Hamidi, nga fshati Gradec. Të gjithë ata që dëshirojnë ta ndihmojnë mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 070 997 244.