Rama-Bashës: Ke kohë deri të premten…
Kryeministri Edi Rama sërish i ka drejtuar një letër kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Bashës, ku i bën thirrje për dialog.
Përmes letrës shefi i qeverisë është shprehur se tashmë nuk ka lënë asgjë pa shkruar në letrat drejtuar liderit të opozitës, dhe i fton ato në dialog pa u djegur çdo afat kohor.
LETER E GJASHTE PUBLIKE LULZIM BASHES
Zoti kryetar,
letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 qershorit.
S’ka mbetur nga ana ime ndonjë gjë e rëndësishme pa shkruar në këto letra dhe çka mbetet ende ndoshta, është detyrimi për të përmbledhur disa nga gjërat kryesore që janë thënë e shkruar.
- Dy vjet më parë Ju bëtë fiks të njëjtën gjë dhe fiks për të njëjtat arsye: Paniku nga zgjedhjet dhe frika nga drejtësia. Asokohe kishit ikur nga Kuvendi dhe ishit mbledhur në Çadrën e Republikës së Re, për të mbrojtur drejtësinë e vjetër duke refuzuar të votoni Vetingun. Dihet si shkuan gjërat, s’po zgjatem.
- Sivjet Ju i jeni rikthyer po atij avazi, por nga një nivel i ri papërgjegjshmërie, me mandate të djegura, bojkot zgjedhjesh dhe kërcënime për të ndaluar forcërisht popullin të zgjedhë në 30 qershor. Përsëri frika nga zgjedhjet dhe paniku nga drejtësia, Ju kanë qorruar e shurdhuar dhe shtyrë në rrugën e një lufte imagjinare çlirimtare nga tirania! Të cilën duhet ta bëni me veten ne fakt, për të përmbysur tiraninë e frikës brenda Jush, sepse Shqipëria s’është në duart e asnjë tiranie, po në duart e një shumice të zgjedhur demokratikisht, për të qeverisur deri në vitin 2021.
- Siç e shihni dhe vetë, mbështetja Juaj në aventurën pa rrugëdalje vjen duke rënë, e sado t’i tërhiqni e t’i shtriqni trupat e ndjekësve si çamçakiz në bulevard, për të krijuar efekte fotografike e televizive masiviteti, nuk bëni tjetër veçse gënjeni veten Tuaj dhe ata që duan të gënjehen me idenë, se disa mijëra punonjësit e bashkive blu dhe masa modeste e militantëve bashkëngjitur tyre, janë populli i Shqipërisë në protestë kundër qeverisë! Kjo gënjeshtër mund t’Ju mbajë me gajret edhe për ca kohë, Juve e lidershipin politik të grupimit Tuaj. Por besomëni që zgjimi nga ëndrra me sy hapur e largimit të qeverisë pa zgjedhje apo e moslejimit të zgjedhjeve, do të jetë shumë i dhimbshëm për atë grupim e për Ju si udhëheqësi i saj, nëse do të vijoni shurdhërisht në rrugën pa dalje, ku po marshoni verbërisht.
- Unë Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim Dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkarisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po!
- Jini i sigurtë zoti Lulzim se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Kjo shumicë qeverisë do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësinë e saj edhe për të paktën dy vjet të tjera, kur i mbaron mandati i saj legjitim. Vetingu dhe Reforma në Drejtësi do të vijojnë pa asnjë lëkundje, asnjë ndalesë dhe asnjë rishikim, për sa kohë koha nuk do të sjellë nevojën për ndërhyrje të mundshme në korpusin ligjor të drejtësisë dhe vetëm me konsensusin e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Kujtesë: Shqipëria duhet të hapë negociatat për anëtarësim patjetër këtë vit dhe fatkeqësisht, Ju po bëni çmos t’i pengoni ato. Por jini po ashtu të sigurtë se populli shqiptar, përfshirë edhe çdo demokrat të arsyeshëm, që kurrë s’ka votuar e mbase s’do votojë ndonjëherë për Partinë Socialiste, nuk ka për t’Jua falur një paudhësi të tillë.
Shqiptarët janë shumë më të mençur se sa për fat të keq, shumë gabimisht, politikanë e parti të ndryshme i kanë kujtuar në momente të ndryshme të historisë së zhvillimeve demokratike. Mos e nënvleftësoni forcën e gjykimit dhe fuqinë e ndëshkimit të tyre, sepse çfarë keni parë e provuar në zgjedhje të shkuara, do t’Ju duket lule në krahasim me mësimin që do merrni kur t’Ju kërkoni përsëri votën një ditë, nëse s’do të ktheni rrugë sot përpara se sa nesër të jetë shumë vonë.
Me shëndet,
Edi Rama
27 maj, 2019