Arbër Ademi, ministri që ‘ngjalli shpresat’ për arsim më cilësor me libra të ‘kafshura’, të grisura…! (Foto)
Deri tek portali jonë ALBAZONE ka arritur një reagim nga një prind i shkollës fillore “Petar Zdravkovski – Penko”-Shkup.
Me poshte ju sjellim edhe reagimin e tij:
Përshëndetje, ju lutem shikoni çfarë libra u kanë dhënë sot fëmijëve në shkollën fillore “Petar Zdravkovski – Penko”! Libra gjysmë të shqyer, te kafshuar, të improvizuar me karton! Njëherë ftojmë drejtorinë e shkollës të merr masa lidhje me këtë problematikë, nëse nuk ndodh kjo, do të ankohemi në Ministrinë e Arsimit! TURP!
PRIND I REVOLTUAR
Gjithashtu mos harrojmë të përmendim se ditë më parë të gjitha portalet e paguara nga BDI, ministrin e arsimit Arber Ademin e kanë hipur me “nalle ne dru” duke e lavdëruar për reformat në arsimin fillor dhe të mesëm.
Më poshtë ju sjellim lajmet të publikuara nga portalet e BDI-së:
Titulli: Arbër Ademi, ministri që ngjalli shpresat për arsim më cilësor në vend
Që nga emërimi si ministër i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, me gjithë kapacitetin e tij profesional dhe institucional është duke ngjallur besimin e qytetarëve në sistemin arsimor dhe me përkushtim dhe kujdes të madh është duke dhënë sinjale për përmirësimin e cilësisë në arsim.
Me ardhjen e Ademit në ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, nga shtatori i kaluar kemi rritje të pagave për 5 për qind për të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa nga shtatori i këtij viti do të ketë përsëri rritje të pagave për 5 për qind të tjera edhe atë duke përfshirë këtu edhe të punësuarit në institucionet e arsimit të lartë. Ministri Ademi në shumë paraqitje publike ka deklaruar se rritja e pagave për punonjësit në arsim nuk mbaron këtu dhe se do të angazhohet që edhe vitet në vijim të ketë rritje të pagave.
Me angazhimin maksimal të ministrit Ademi, pas 20 viteve, u përpiluan listat e reja të lektyrave për nxënësit në frymën e kërkesave të kohës, sipas sugjerimeve të ekspertëve dhe mësimdhënësve të lëndëve nga gjuha amtare. Krahas shumë ndryshimeve pozitive, Ademi i ka flakur në histori tekstet e muzikës me këngëve të përkthyera nga maqedonishtja. Nga viti shkollor 2019/2020 nxënësit do të mësojnë lëndën e muzikës me këngë origjinale nga kompozitorë dhe muzika e etnitetit të cilit i takojnë. Programet e reja sipas gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi tanimë janë miratuar, ndërsa ka nis procedura për hartimin e teksteve përkatëse.
Ministri Arbër Ademi me përkushtim të madh e ka filluar dhe është duke e zhvilluar në mënyrë të shkëlqyeshme fushatën për promovim e arsimit profesional “EDHE E MESME EDHE E VLEFSHME – ZGJEDH ARSIMIN PROFESIONAL” që ka për qëllim orientimin e nxënësve të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale si opsion që ofron mundësi më të mëdha për punësim.
Këto janë vetëm disa prej punëve të ministrit Arbër Ademi që nga ardhja e tij në krye të ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por që në opinion kanë bërë të ngjallin dhe të rrisin besimin ndaj këtij institucioni dhe shpresën për një arsim më cilësor dhe me perspektivë.