Basha: Sot u provua se me Edi Ramën në krye nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat pas mbylljes së votimit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit tha se Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët. “Sot shqiptarët braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. Edi Ramën sot e bojkotuan dhe socialistët’, tha kreu i PD-së.
Basha tha se kjo farsë është nul, ky proces është antikushtetues dhe i paligjshëm.
Gjatë një komunikimi nga selia e PD-së, kreu i saj Lulzim Basha është shprehur se, dita e sotme vërtetoi edhe një herë se me Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.
“E gjithë pjesëmarrja e sotme është pjesëmarrje e sektorit publik, nën kërcënimin e tyre dhe familjarëve të tyre.
Ju jap fjalën se do të çliroheni shumë shpejt nga ky ankth. Do ti shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të rradhës.
Regjimi i Ramës manipulon zgjedhjet edhe kur shkon vetëm. Sot u provua se me Edi Ramën në krye nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Basha.