E zhgënjyer, nëna e dëshmorit Adnan Maliqi, zhvarrosi eshtrat e të birit nga Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë
Për shumë vjet, Metihe Maliqi kishte pritur që varri i djalit të saj të rënë dëshmor, të rregullohej.Maliqi rrëfen se djali i saj 20-vjeçar ishte vrarë derisa po luftonte si pjesëtar i UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit, më 1999, raporton KTV.Pas luftës, trupi i Adnan Maliqit ishte varrosur në Varrezat e dëshmorëve në kryeqytet.
Mirëpo, pas 20 vjetësh, Metihja, e shtyrë nga mosmbajtja e premtimeve për rregullimin e varrezave, është detyruar që t’i nxjerrë eshtrat e të birit dhe t’i varrosë në Varrezat e dëshmorëve, në Penuhë të Podujevës.61-vjeçarja thotë se një vit më parë, inspektorë të Komunë së Prishtinës kishin tentuar ta pengonin zhvendosjen e eshtrave të djalit të saj.Eshtrat e ish-pjesëtarit të UÇK-së nga Orllani i Podujevës, tani pushojnë në mesin e bashkëluftëtarëve të Llapit, trevë në të cilën ishte lindur dhe rritur.
Nëna e dëshmorit Maliqi thotë se që nga koha e qeverisjes së Ismet Beqirit, ajo e Isa Mustafës e deri te kjo e Shpend Ahmeti, ka kërkuar vazhdimisht që varrezat e dëshmorëve të rregullohen, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.Gjendjen e këtyre varrezave në kryeqytet e vlerësojnë të mjerueshme në Shoqatën e Dëshmorëve në Prishtinë.
Aty thonë se në vend që Prishtina të jetë shembull i mirë për komunat tjera, po ndodh e kundërta.Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk u është përgjigjur mesazheve telefonike të shtunën, në lidhje me gjendjen e varrezave dhe rastin e familjes Maliqi./ktv