Fati i qeverisë në dorë të Këshillit Evropian, nëse s’ka datë, Zaev paralajmëron kthim të mandatit
Fati i qeverisë së Maqedonisë së Veriut tani është në dorë të Këshillit Evropian.
Skenarin e rikonstruimit kryeministri Zoran Zaev thotë se e ka gati, por se çfarë do të bëjë me kabinetin qeverisës do të vendosë vetëm pasi ta ketë kuptuar vendimin e Këshillit për dhënie ose jo të datës për bisedime.
“Për shembull nëse kemi siguri se këtë verë, qershor ose korrik, këto janë dëshirat tona për të marrë datë për bisedime, vazhdojmë me rikonstruimin. Nëse ka zvarritje të gjitha opsionet janë të mundura siç është edhe kthimi I mandatit, hapje e debatit të brendshëm për ndërmarrje të hapave, një prej këtyre hapave janë zgjedhjet e parakohshme, hapi tjetër është qeveri krejtësisht e re, i treti është marrja e përgjegjësisë pas këtij mossuksesi për marrje të datës pas gjithë asaj që e bëmë edhe pse fajin nuk e shohim këtu”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Nëse vendi nuk merr datë në qershor ose korrik, sipas analistit politik Petar Arsovski, ka rrezik që Kryeministri të humbë mbështetjen politike edhe në Kuvend. Shpjegon se kthimi i mandatit jo domosdoshmërisht nënkupton zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Kjo nuk do me thënë se shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo do me thënë se mandati kthehet tek Presidenti. Presidenti sërish duhet të vlerësojë se kush ka shanse më të mëdha për të formuar qeveri. Kështu ka qenë bontoni politik deri më tani me kthimin e mandatit. E nëse asnjëri nuk ka sukses të formojë qeveri, atëherë patjetër të shkohet në zgjedhje”, theksoi Petar Arsovski, analist politik.
Kthimi i mandatit, sipas Arsovskit nënkupton edhe provë nëse Zaev ka mbështetje qytetare për qeverisjen e vendit, por mund të shihet edhe si presion i vogël ndaj BE-së për të mbajtur premtimin për dhënie të datës përfundon Arsovski.
E pikërisht për presion ndaj ndërkombëtarëve Zaevin po e akuzon edhe opozitarja VMRO-DPMNE, e cila kërkon që kryeministri të dorëzojë dorëheqje të parevokueshme.
“Zaevi paaftësinë e tij përpiqet ta mbulojë me hedhje të fajit tek partnerët ndërkombëtarë të Republikës së Maqedonisë. Kërcënimet dhe presionet janë karakteristika e vetme e politikës së Zoran Zaevit. I paafti Zaev duhet të largohet dhe në vend të tij të vijë qeveri teknike e cila do t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, u shpreh Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.
Në përpjekjet e tij për mbështetje të sigurt të Bundestagut, Kryeministri Zaev po pret konfirmim që javën që vjen ta takojë Kancelaren gjermane Angela Merkel.
Mesazhet e krerëve të BE-së si Han, Mogerini dhe raportuesit Vajgëll, janë se Evropa duhet që si Maqedonisë së Veriut po ashtu dhe Shqipërisë t’u jepet datë për nisje negociatash, si meritë për reformat dhe kontestet e zgjidhura, përndryshe Unioni humb kredibilitetin si mos mbajtëse premtimesh. E përskaj këtyre kërkesave, skepticizmi i Francës, Holandës dhe Danimarkës për zgjerim të Evropës, mbetet barrikadë e shpresave të vendit që këtë vit të marrë datë për hapje të negociatave./TV21/