Formatimi i Qeverisë, Zaev dorëzon emrat e rinj
Kryeministri Zoan Zaev këtë të premte pritet që të dorëzojë në Kuvend propozimet për ministrat e rinj, të cilët deri në këtë moment janë anonim.
Zëdhënësi i qeverisë Muhamet Hoxha, është shprehur se deri në momentin e dorëzimit zyrtar të emrave nga ana e kryeministrit në Kuvend, nuk mund të themi nëse ka edhe zëvendësministra për shkak se kryetari i Qeverisë akoma është në konsultime me krerët e partive politike të cilët janë pjesë e shumicës qeveritare.
Në mesin emrave të cilët do të përfshihen nga rikonstruimi janë emri i ministrit të Ekologjisë, Sadulla Duraku i cili do të emërohet në ministrinë e re për Sistem Politik. Në vendin e tij do të vijë Naser Nuredini.
Me këto propozime, nga BDI thonë se kanë mbyllur kapitullin e rikonstruimit të ministrave. Alternativa e Afrim Gashit akoma nuk ka emër për ministër të Kulturës, ndërsa jo zyrtarisht mësohet se kanë kundërshtuar ndërrimin e resorit me Ministrinë e Pushtetit Lokal. Nga partia e Gashit thonë se deri të premten do të mësohet emri për ministër Kulture.
Pushteti Lokal mbetet në lojë edhe si propozim që t’i jepet Partisë Liberal Demokrate me të cilën jo zyrtarisht mund të udhëheq Zoran Shapuriq, ndërsa Ministria pa resor për përmirësimin e klimës për bizneset e brendshme pritet t’i kalojë njërës nga partitë rome. Kohë më parë, vetë kreu i RDK-së, kishte përgënjeshtruar informacionet për këmbim të Pushtetit Lokal duke theksuar se subjekti i tij nuk është përfshirë në negociatat e rikonstruimit. Nga radhët e LSDM-së, ministër i ri pritet në Bujqësi, ndërsa mësohet edhe për ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski dhe një ministri pa resor.
Ndërkohë pritet që javën e ardhshme të votohet qeveria e re.