Gjorçev – Zaevit: Për disa muaj formohet qeveria teknike dhe shkojmë në zgjedhje
Gjatë debatit të ashpër kuvendor për riformatimin e qeverisë, kryeministri Zoran Zaev është përplasur me opozitën maqedonase edhe për çështjen e zgjedhjeve, shkruan gazeta Lajm. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Vllatko Gjorçev i ka thënë Zaevit se për shkak të dështimit të politikave të tij, brenda disa muajve do të bie gjithë qeveria.
“Ju asnjëherë nuk na keni mundur në zgjedhje. Kur të votojë populli, do të munden politikat e Zoran Zaevit. Zoran Zaev, ju jeni në muajt e fundit të qeverisjes sepse pas disa mujave do të kemi qeveri teknike ku do të merr pjesë edhe VMRO-DPMNE-ja. Pra, për disa muaj vijnë ndryshimet në Maqedoni. Ju dhe 28 ministrat tuaj do të largoheni përmes votave të qytetarëve të Maqedonisë” tha Vllatko Gjorçev.
Por, kryeministri Zaev, i kujtoi Gjorçevit se në dy ciklet e fundit zgjedhore, në zgjedhjet locale dhe ato presidenciale, LSDM-ja ka mundur me lehtësi VMRO-DPMNE-në, shkruan gazeta Lajm. Më tej, kreu i ekzekutivit i tha deputetit opozitar se, VMRO-ja asnjëherë nuk do të mund të ngjitet në qeveri derisa nuk distancohet nga krimi dhe nacionalizmi.
“Nëse jo më shumë, në dy ciklet e fundit zgjedhore, ju kam mundur dhe sërish do t’ju mund. Pra, do t’ju mundim në periudhën që vjen ju dhe nacional-radikalizmin tuaj. Populizmin tuaj e kemi mundur. Nëse vazhdoni me politika të këtilla do t’ju mundim edhe atë shumë lehtë derisa të distancoheni nga krimi dhe politikat që janë tipike për shekullin e XX dhe jo për atë të XXI”, tha Zaev.
Shefi i ekzekutivit i foli opozitës edhe për sukseset e qeverisë në planin ndërkombëtar, duke përmendur Marrëveshjen me Bullgarinë dhe atë me Greqinë, që sipas tij kanë zhbllokuar procesin për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE./Gazeta Lajm