Presidenca: Meta iu drejtohet nesër shqiptarëve në orën 08:00
Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të lënë në fuqi datën e zgjedhjeve në 30 qershor, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zyrtarizuar se nesër në mëngjes në orën 08:00 personalisht do të dalë para mediave, por pa dhënë detaje shtesë se çfarë do t’u komunikojë shqiptarëve.
Më herët, burimet i thanë “BalkanWeb” se nuk dihej se kush do fliste në presidencë Meta apo këshilltarët e tij, por tashmë zyra e Shtypit e ka konfirmuar zyrtarisht se do të jetë vetë Presidenti që do të flasë para mediave.
“Të nderuar kolegë! Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do japë nesër (25 qershor 2019) një deklaratë për shtyp në ora 08:00, në ambientet e Institucionit të Kreut të Shtetit. Ftohet media të jetë e pranishme, edhe me transmetim LIVE! Ju falëminderit për bashkëpunimin!”-thuhet në njoftim.
Ky është rasti i dytë që kreu i shtetit ka lajmëruar një konferencë për mediat në orët e para të mëngjesit, ndërsa e para ishte ajo kur vendosi zhdekretimin e zgjedhjeve me 10 qershor.