MaqedoniTop Lajme

Shqiptari i njohur në Kroaci me shprehjen “VJEŽBAJ…” vjen në Gostivar, rrëfen historinë e tij interesante

Shpërndaje

Telat Selmani-Toni, u bë i njohur përmes thirrjes së tij të veçantë për të luftuar sëmundjet përmes ushtrimeve. Intervista me shqiptarin që jeton në Kroaci u bë virale dhe u komentua shumë në rrjetet sociale, shkruan gazeta Lajm.

Ai, këto ditë është kthyer në vendlindjen e tij, në fshatin Reçan të Gostivarit. Ekipi i gazetēs Lajm vizitoi 82 vjeçarin, i cili na tregoi se në Kroaci jeton prej moshës 18 vjeçare.

Qëllimi i mesazhit me të cilin u bë i njohur thotë se ka qenë që tu tregoj të gjithēve se me ushtrime luftohen sëmundjet dhe pleqëria.

Me një shqipe të perzier me kroatisht ai rrëfen se vetë vazhdimisht ushtron dhe se asnjëherë nuk ka qenë për vizitë te ndonjë mjek. Toni, jeton në Zagreb prej më shumë se 60 vitesh. Ai është i lumtur me bashkëshorten, djalin e tij Sejdinin dhe nipin Luanin, të cilëve mundohet tua mësojë gjuhën shqipe.

Ai rrëfen se fëmijëria në Gostivar ka qenë shumë e vështirë. Babain thotë se e kishte ballistë dhe se ia kishte vrarë ish regjimi komunist kur Telati dhe vëllai i tij ishin në moshë të re.

Toni ishte detyruar të ikte nga vendlindja. Në kryeqendrën e Kroacisë, fillimisht punoi në postën e qytetit, ndërsa më pas nisi karrierën prej modeli.

Pas 18 vitesh është kthyer në vendlindje, ku thotë se shumicën e shtëpive i ka gjetur të mbyllura për shkak të migrimit.

Toni është shumë i lumtur që në Gostivar tani e njohin të gjithë për shkak të videos virale që i ka sjellë shumë famë. Ishte i gëzuar edhe për interesin që kanë treguar gazetarët shqiptarë për të.

Këshillat e tij për ta luftuar plakjen përmes ushtrimeve, ia përcillte çdo njërit që e takonte në lokal ku e zhvilluam intervistën, ndërsa të gjitha takimet i mbyllte me mesazhin me të cilin u bë ai i njohur…..