Rajoni

Vjosa Osmani thotë se Opozita i ka votat për rrëzimin e Qeverisë

Shpërndaje

Sipas deputetes së LDK-së Vjosa Osmani, pakënaqësitë brenda koalicionit qeverisës janë më të mëdha se që kanë qenë më herët dhe ky është momentum i qëlluar që të shihet mundësia për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj. Ajo ka thënë se opozita tashmë ka 58 vota për ta rrëzuar Qeverinë. “Është çështje muajsh, ne jemi te ai 58-shi i votave. Nënshkrimet i kemi mbledhur ne, i ka mbledhur VV. Në njërën nga seancat i ka sjell edhe PSD-ja. Janë nënshkrimet e deputetëve të LDK-së, VV-së dhe PSD-së”. “Në qoftë se dështojmë atëherë kjo nuk do të ishte veç shtyrje për neve, por edhe njëfarë fuqizimi i qeverisë. Mendoj që tash është një momentum tjetër sepse pakënaqësitë brenda koalicionit janë më të mëdha se që kanë qenë. Momentumi është i qëlluar për ta diskutuar këtë punë mirëpo nuk mund ta hedhim në votim pa qenë të sigurt për këtë proces”, ka shtuar ajo. Ajo ka paralajmëruar se koha e fundit për të rrëzuar qeverinë do të jetë vjeshta e këtij viti, nëse nuk ndodh ndonjë lëvizje tjetër gjatë verës. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se ideja për negocim për kufijtë mes Kosovës e Serbisë nuk është mbyllur plotësisht përderisa në këtë proces janë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Në Rubikon të KTV-së, ajo ka thënë se me rëndësi të madhe për të ardhmen e dialogut do të jetë edhe pasuesi i Federica Mogherinit si ndërmjetësuese. “Nuk është mbyllur tërësisht ideja për kufijtë përderisa në anën e Kosovës i involvuar në dialog është presidenti Thaçi dhe në anën tjetër presidenti Vuçiq, të dy këta që besojnë në këtë ide”, ka thënë Osmani, teksa e ka quajtur idenë të shekullit të kaluar. “Megjithatë edhe pse nuk mund të jemi të sigurt që kjo temë është larguar 100 për qind nga tavolina, ka shumë rëndësi se kush do të jetë ndërmjetësuesi nga BE ndërsa nga Kosova kjo do të duhej të bëhej përmes zgjedhjeve të lira”, ka shtuar ajo.

Sipas Osmanit, këtij procesi duhet t’i bëhet një “reset”. Osmani e ka quajtur takim të fshehtë atë të ekipeve teknike javën e shkuar. Ajo ka thënë se nuk pajtohet as me dërgimin e Avni ARifit në takimin e procesit të dialogut. Ajo ka thënë se kryeministri Haradinaj s’duhet të krekoset se me tetë deputetë ka mundur ta ndalë idenë e Thaçit. “Ky është një gabim i madh sepse ai me tetë deputet nuk mund të çojë përpara asgjë dhe nuk mund të ndalojë asgjë e nuk do të duhej të krekoset se me tetë deputetë mund të ndalë diçka”, ka thënë Osmani. Sipas saj, pa qëndrueshmërinë e LDK-së, si partia më e madhe opozitare në vend, nuk do të mund të ndalej procesi i shkëmbimit të territoreve.