Rajoni

Brenda dy ditësh, tri ftesa nga Haga për ish-udhëheqësit e UÇK-së

Shpërndaje

Tri ftesa për intervistim nga Haga kanë mbërritur në Kosovë dy ditët e fundit. Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së janë ftuar për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ramush Haradinaj, kryeministri në largim i Kosovës dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, tregoi dje se ka marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Në një konferencë për media të premten, Haradinaj njoftoi se shkaku i ftesës për intervistim nga Haga, do të jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Kryeministrit të Kosovës.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.

Ai tha se nderi i postit të kryeministrit duhet të ruhet dhe se ai do të paraqitet në Hagë për intervistim.

“Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, me multi-etnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo ‘Dodik Republika’ janë të papranueshme”, tha Haradinaj.

Në të njëjtën ditë me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ftesa i erdhi edhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapit, i cili së fundmi shërbeu si këshilltar i Hashim Thaçit, presidentit të Kosovës.

Lajmin e ftesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Bislim Zyrapin e dha presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Madje, shefi i shtetit bëri të ditur se edhe eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ftuar nga Prokuroria e Specilizuar ndonëse nuk shpalosi detaje.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së”, deklaroi Thaçi të premten.

E, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, konfirmoi sot se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u paraqitur për intervistim.

Megjithatë Krasniqi nuk ka treguar se në çfarë cilësie është ftuar nga Gjykata Speciale.

“Unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi”, ka deklaruar Krasniqi, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka qenë zëdhënës si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Insajderi.com