Dramë e dhimbje/ Nëna me 3 fëmijë jeton në magazinën e braktisur
“Shqiptarët për shqiptarët” në News24 transmetuan këtë të premte një tjetër histori tronditëse nga qyteti i Ballshit.
Në një magazinë pranë shinave të trenit afër uzinës në Ballsh banon familja Alushi. Kryefamiljari ka ndërruar jetë duke lënë pas gruan Lauretën dhe tre fëmijë Kristinën, Katerinën dhe Orgiton e vogël.
Fëmijët qajnë me dënesë për vdekjen e babait në moshë të re vetëm 37 vjeç. Magazina që aktualisht jetojnë nuk ka asnjë kush minimal për të jetuar.
Vajza më e madhe Kristina 14 vjeç tregon historinë e familjes. “Ne jetojmë me mamin, motrën dhe vëllain. Këta janë gjithçka për mua, janë familja ime. Atë ditë kur erdha në shtëpi kam gjetur nënën që qante tek dera. Kam lënë çantën në mes të rrugës, vrapova brenda. Atje kuptova që babi kishte vdekur. Nuk e harroj atë moment. Kam qarë shumë jam ndier shumë e vetmuar. Në fillim prisja që ai do vinte…”, tregon Kristina.
Katerina 10 vjeç thotë se babi iku ditën e ditëlindjes së saj që duhet të ishte festë.
“I dua shumë. Atë ditë ishte ditëlindja ime, pasi të ktheheshin nga spitali më kishin thënë se do festonim por ne nuk e festuam. Do doja që ai mos të vdiste. Do doja të kishim një shtëpi të re mos të jetonim më këtu. Kjo është shtëpi e ftohtë. Nuk dua të jetoj më këtu. Kam shumë frikë”, thotë 10-vjeçarja.
Orgito i vogël nuk e shpreh dot atë që ndjen për mungesën e të atit. “Babi im ka ndërruar jetë, më ka marrë malli më mungon”. Laureta, e ëma e tre fëmijëve tregon hallet e shumta. “Ngelëm pa bukë, e kam menduar shumë herë, nuk mund ta përballoja”, shprehet ajo.
(BalkanWeb)