“Eco Guerilla” kërkoi marrjen e kompetencave Komunës së Tetovës
Organizata joqeveritare “Eko Guerila” sot në konferencë për shtyp kërkoi që Qeveria dhe kryeministri Zoran Zaev t’ia marrin kompetencat Komunës së Tetovës për shkak të numrit të madh të problemeve të pazgjidhura, para së gjithash në aspekt të mjedisit jetësor. Theksuan se përveç përmes medieve, kërkesa dhe video adekuate për gjendjet do të dërgojnë deri te kryeministri Zaev.
“Kryetarja Teuta Arifi në mandatin e dytë nuk arriti t’u përgjigjet nevojave, kërkesave dhe obligimeve ligjore që të ketë mjedis të pastër jetësor dhe rend funksional. Duke pasura parasysh se në fushatën parazgjedhore në vitin 2017 Ju i dhatë mbështetje të hapur, Ju lusim që t’ia merrni kompetencat e Komunës së Tetovës për të cilat nuk arriti të menaxhojë”, deklaroi Arianit Xhaferi nga “Eko Guerila”.
Para gazetarëve e publikuan videon që të vizualizojnë se si po zvogëlohen hapësirat e gjelbra për shkak të ndërtimit të ndërtesave të reja.
“Edhe pse parqet dhe hapësirat e gjelbra janë pronë e të gjithë qytetarëve, ato betonohen, ndërsa komuna hesht dhe nuk ndërmerr masa që të ndalohet ajo. Qyteti është transferuar në rrënojë urbane, mbizotëron kaos në komunikacion, mungesë e pastërtisë publike, deponi të mbeturinave në disa pjesë të qytetit, mungesë të parkingut dhe transportit publik”, tha Xhaferi.
Sipas “Eko Guerilës”, është kot që Komuna e Tetovës të ketë kompetencat nëse jetojmë si në shekullin 19.
“Sipas standardeve të BE-së për secilin qytetar, për një banor duhet të ketë nga 15 metra katrorë hapësirë të gjelbër. Ajo është larg asaj që e ka Tetova. Nuk kemi bërë studim se sa është hapësira e plotë e uzurpuar, por kjo mund të shihet me sy hapur, ato hapësira të gjelbra çdo ditë uzurpohen gjithnjë e më shumë dhe nuk i kemi. Edhe në verë edhe në dimër me fshesa pastrohen rrugët përderisa në vend tashmë kanë mekanizma për pastrim të rrugëve. Nuk ka transport publik, ndërsa ka shumë probleme dhe obligime të cilat dalin nga ligji për komunat të cilat Tetova nuk ka mundësi që t’i përmbushë dhe për këtë nevojitet që ato kompetenca të merren”, tha Xhaferi.