MaqedoniTop Lajme

Gostivar, 22 vite nga ngjarjet e përgjakshme duke mbrojtur flamurin kombëtar shqiptar

Shpërndaje

Sot (9 korrik) mbushen 22 vite nga ngjarjet e përgjakshme të Gostivarit. Tradicionalisht, në këtë ditë përkujtohen dëshmorët. Sot, duke filluar nga ora 11:00 një delegacion i Komunës së Gostivarit, do të bëjë homazhe tek vendprehja e dëshmorit Nazmi Saliu në Turçan të Vogël për të vijuar pastaj në fshatin Forinë në ora 12:00 tek vendprehja e dëshmorit Shpend Iseini dhe në ora 13:00 në Dobërdoll tek varri i dëshmorit Milaim Dauti.

Paraprakisht, edhe një delegacion i RDK-së do të bëjë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të flamurit. Do të fillohet nga vendprehja e dëshmorit Nazmi Saliu në ora 09:00, për të vijuar më pas tek varri i dëshmorit Shpend Iseini në Forinë në ora 09:30.

Kujtojmë si sot, si para 22 viteve, qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara godinës komunale për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit ndaj popullatës shqiptare.
Më 27 Janar të vitit 1997, u ngrit flamuri kombëtar shqiptar, para godinës së komunës së Gostivarit. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë.

U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj, 1997, u deklarua se me këtë akt kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar.

Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, pra edhe i Flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor.

Ky vendim i kuvendit, u materializua pak orë pas aprovimit të të njëjtit. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes në orën 01:30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, të flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë.

Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.

Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, u vranë tre shqiptarë, Dr. Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, u plagosën me qindra të tjerë, u keqtrajtua pa mëshirë çdo qytetarë jomaqedonas që gjendej duke lëvizur nëpër rrugë.