Rajoni

Krasniqi: Nga Specialja tash vetëm duhet të presim, me duart tona e krijuam

Shpërndaje

Në fund të 2018-ës, atë kohë kur u aktivizua Gjykata Speciale dhe nisi t’i bëjë ftesat për ish-ushtarë, komandantë e pjesëtarë të UÇK-së, ndër të parët Rrustem Mustafa i njohur si Remi, Jakup Krasniqi e kishte vlerësuar kryekëput veprim politik.

Jakup Krasniqi, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-zëdhënës, në një intervistë për Koha.net gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, kishte thënë se Gjykata Speciale është sukses i politikës së Beogradit dhe shërbëtorëve të tij në Kosovë.

Kishte thënë se kjo Gjykatë, është duke ecur në gjurmët e UNMIK-ut.

“Personalisht që nga koha e Raportit të Dick Martyt kam qenë kundër një Gjykate të tillë, e sidomos kam qenë kundër akuzës fantome të trafikimit të organeve e cila ka qenë e shpifur dhe një gënjeshtër “demokratike” me kokë e këmbë në Beograd! Nëse kihet parasysh raporti i përmendur, për situatën e re të krijuar, më duket sa ka shumë politikë (ndërhyrje politike). Për mua krijimi i kësaj gjykate është sukses i politikës së Beogradit dhe i shërbëtorëve të tij në Kosovë që i janë gëzuar shumë asaj gjykate. Rasti i Rrustem Mustafës është tregues se Gjykata Speciale, gjithsesi është duke ecur në gjurmët e UNMIK-ut. Kështu e pat filluar edhe gjykata e Administrimit Ndërkombëtar në Kosovë. Fundi, do të jetë si i gjykimeve paraprake, “mali do të pjell një mi”! Megjithatë, mendoj se drejtësisë në cilëndo cilësi nuk duhet t’i ikë askush”, ka thënë Krasniqi për Koha.net.

Krasniqi, ka folur edhe për atë se a mund të sjellë shkundje në skenën politike e shoqërore intensifikimi i akuzave nga Specialja.

Krasniqi, tash kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ka thënë se Specialja mund ta ketë ndikimin goxha të madh në jetën politike në Kosovë.

“Gjykata Speciale mund të ketë ndikimin e vet goxha të madh në jetën politike në Kosovë. Tek e fundit, për këtë shkundje politike është formuar kjo gjykatë kryekreje politike. Gjykata Speciale, pa asnjë dyshim, Kosovën e ka qitur në bankën e të akuzuarit për krime lufte?! Unë nuk besoj që vendi ynë e meriton këtë trajtim! Këtë e shoh si një padrejtësi të madhe që po ju bëhet qytetarëve të Kosovës. Për disa vite, Bota do të flas e shkruaj për krimet e pretenduara të pjesëtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Turp i madh më duket! Krimet e gjenocidi i Serbisë do të harrohen. Këtë gjykatë nuk duhet parë ngushtë, as me inat e as me gëzim. Tani nuk na ka mbetur tjetër veç të presim e të shohim! Me duart tona e kemi krijuar?! Nuk dyshoj, dikush e ka rastin për shkëlqim atdhetar e dikush tjetër turpërim e mjerim të skajshëm!”, ishte deklaruar Jakup Krasniqi, i cili do të paraqitet në gjykatën ndërkombëtare më 24 korrik.