Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni – në armiqësi të përhershme me elitën intelektuale, fjalën e lirë dhe mendimin ndryshe
Nga, Abdulla Mehmeti
Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, sapo janë ngritur në pushtet janë shndërruar në varrmihëse të fjalës së lirë dhe të mendimit ndryshe, sidomos për heshtjen, kërcënimin dhe ndalimin e veprimtarisë së elitës intelektuale.
Një artikull i botuar në gazetën kombëtare “Bota sot”, me titull: “Universiteti i Tetovës – kurorëzim i vazhdimësisë arsimore kombëtare”, në numrin e saj të datës 26 qershor, i autorit mr. Ramadan Sinani, atëkohë shkaktoi rëmujë tek pushteti (i VMRO-së) dhe krerët e partisë shqiptare në pushtet (PDSH-së). I gjithë tirazhi i kësaj gazete u tërhoq nga shitja, u konfiskua dhe magazinua në zyrat e kësaj partie (aktivistët e këtij aksioni “patriotik”, më vonë janë punësuar dhe privilegjuar në këtë Universitet!), që kurrë më të mos vijë kjo gazetë tek lexuesit shqiptarë në Maqedoni. Këtë fat më vonë e përjetuan edhe gazetat tjera shqiptare që dilnin në Prishtinë dhe Tiranë.
Arsyeja ka qenë e thjeshtë: askush nuk goxonte t’i kritikojë dhe denoncojë krerët e partisë shqiptare në pushtet, edhe kur e kanë goditur arsimin shqiptar, e goditnin Universitetin e Tetovës dhe interesat jetike të popullit shqiptar në Maqedoni.
Për më tepër, mund ta gjeni dhe lexoni këtë artikull të ribotuar edhe në gazetën “Fakti”, e cila dilte atëkohë në Shkup, në numrin e saj të datës 30 qershor të vitit 2000 (Shih kopjen e gazetës në vazhdim), si edhe shumë artikuj të tjerë në gazetën “Bota sot”, nga prof. dr. Hysni Hoxha dhe disa autorë të tjerë.
Politikanëve të sotëm shqiptarë në Maqedoni, që shiten shumë të ditur dhe si liderë të shqiptarëve, përderisa ngrenë kulte të rrejshme personalitetesh dhe përkulen si priftërinj para kryqit ndaj figurave të disa liderëve të mëhershëm të partive politike të tyre, i citojnë ata gati në secilën paraqitje (dorën në zemër nëse ndonjëri prej tyre ka ditur të shkruaj dhe ka qenë mendimtar i mirë, jo edhe politikan i mirë), u themi se e kanë shumë gabim, nëse këtyre vlerësimeve edhe vetë u besojnë sinqerisht dhe nuk e kanë sa për marketing politik, pa e njohur mirë të kaluarën, veprimtarinë dhe profilin politik real të këtyre politikanëve (ish liderëve të tyre). Prandaj, këtyre politikanëve amatorë, imitues dhe kopjues, më mirë u bie që sot të mos merren më me politikë, të kthehen në profesionet e tyre dhe në jetën private, sepse me këtë qasje asgjë të mirë e të dobishme nuk mund t’i sjellin popullit shqiptar në Maqedoni, sot as në të ardhmen.