Rajoni

Përgjimi i Zaev-it: Thaçi e Vuçiqi negociuan për ndryshim kufijsh

Shpërndaje

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev ka rënë pre e disa satiristëve rus që kanë kanë inçizuar dhe publikuar një bisedë telefonike me të. Në këtë bisedë ai zbulon detaje lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Zoran Zaev, duke menduar se po flet me ish-Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, foli lidhur me bisedat sekrete në mes të Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Ai po ashtu foli lidhur me ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe implikimet e këtij ndikimi gjerësisht në Europë.

Poroshenko ka qenë President i Ukrainës nga viti 2014 deri në vitin 2019 dhe humbi zgjedhjet karshi aktorit dhe humoristit Volodymyr Zelensky këtë vit.

Zaev e quajti idenë e shkëmbimit të territoreve, një rrezik të drejtpërdrejt për rajonin. Sipas tij ideja po mbështetet edhe nga Rusia.

“Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës filluan negocimet për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve, por ne jemi kundër kësaj. Edhe Kancelarja [Angela Merkel] është kundër kësaj dhe po ashtu i gjithë regjioni është kundër, sepse mendojmë që është një qëllim i fshehtë i Rusisë për t’i përdorur ata si një pretekst ndërkombëtar”, tha Zaev.

Zaevi foli lidhur me planin konkret të presidentëve serb e kosovar për ndryshimin e kufijve.

“10 komuna në veri të Kosovës do t’i ipen Serbisë dhe disa komuna në jug të Serbisë do t’i ipen Kosovës”, tha Zaev duke paralajmëruar rrezikun nga kjo ‘zgjidhje’.

Zaev tha se ndryshimi i kufijve është ‘i pamundur’ sepse edhe nëse kufijtë rishkruhen, shqiptarë e serbë do të vazhdonin të jetonin nëpër të dy vendet dhe kjo do të ‘prodhonte luftë’.

Biseda telefonike mes Zaevit dhe satiristëve u realizua në gusht të vitit 2018 por nuk u publikua deri të martën.

Në gusht të vitit 2018, Presidenti i Kosovës i kishte bërë publike diskutimet e tij për ndërrime territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, të cilës ide ai iu referua si ‘korrigjim i kufijve’.

Në një bisedë tjetër, satiristët kërkuan nga Kryeministri maqedon që ti vë në kontakt me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Do t’ua dërgoj numrin e tij të telefonit nëpërmjet Whatsapp-it, sepse ai ka qasje në Whatsapp”, tha Zaev.

Zaev e konfirmoi të martën që ishte i mashtruar dhe kërkoi falje, mirëpo refuzoi idenë që të japë dorëheqje për shkak të kësaj. Dorëheqjen e tij e kërkoi partia opozitare VMRO-DPMNE

Në këtë bisedë, kryeministri foli edhe lidhur me referendumin për mosmarrëveshjen afatgjate lidhur me emrin e shtetit të tij me Greqinë dhe pranimin e Maqedonisë Veriore në Bashkimin Europian.

Ai foli edhe për çështje historike e të tjera.