SHQIPTARËT PO ZGJOHEN…
INICIATIVË
Këto ditë, në Tetovë do të themelohet Lëvizja qytetare kundër shpërnguljes „PËR ATDHEUN SIÇ E DUAM“
Kjo lëvizje qytetare do t’i fillojë aktivitetet gjatë kohës së qëndrimit të bashkëqytetarëve tanë nga bota e jashtme, të ardhur për pushime verore në vendlindje.
Me fushatën e saj, kjo lëvizje pretendon t’i shtrijë aktivitetet në të gjitha trojet etnike, në Shqipëri, Kosovë, Luginë të Preshevës, Mal të Zi, vise të tjera dhe në Mërgatën shqiptare, ndërsa ka për qëllim:
-sensibilizimin e opinionit vendës dhe ndërkombëtar për pasojat nga shpërngulja enorme e banorëve shqiptarë në drejtim të shteteve të BE-së dhe SHBA-ve;
– presionin ndaj pushteteve qendore dhe lokale që të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin, zvogëlimin e shpërnguljes;
– propozimin e masave konkrete, efikase dhe dobiprurëse, hartimin e strategjisë dhe planeve afatgjatë dhe afatshkurtë për rikthimin e besimit të humbur të qytetarëve;
– rikthimin e qytetarëve të interesuar, shqiptarë nga bota e jashtme, përmes investimeve në vendlindje, me sigurimin e projekteve konkrete dhe të garancave ligjore;
– krijimin e kushteve më të mira për punë dhe jetë të dinjitetshme të banorëve shqiptarë në vendlindje; dhe
– aktivitete të tjera për sigurimin e një të ardhme më të mirë për rininë e sotme dhe brezat e ardhshëm.
Nuk do të tolerojmë të shuhen vatrat tona vetëm për interesat e një klase politike të korruptuar dhe kriminale në pushtetin aktual!
Nuk do të shuhen përpjekjet dhe shresat tona pa u shuar klanet politike mafioze që e kanë uzurpuar pushtetin dhe okupuar vendin tonë!
Të gjithë shqiptarët duhet të zgjohen kundër kësaj fatkeqësie të përbashkët, PËR ATDHEUN SIÇ E DUAM!