Bota

Turqia uron zhvillim të marrëdhënieve me Greqinë nën lidershipin e ri

Shpërndaje

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, përgëzoi kreun e opozitës greke Kyriakos Mitsotakis për fitoren e tij në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, duke shprehur shpresë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Përgëzojmë kreun e Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, i cili fitoi zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të mbajtura dje në Greqi dhe siguroi të drejtën për të formuar qeverinë”, tha Aksoy në një deklaratë.

Partia Demokracia e Re (ND) e udhëhequr nga Mitsotakis siguroi fitore të qartë në zgjedhjet e përgjithshme të parakohëshme.

ND, parti e qendrës së djathtë, ka siguruar afërsisht 40% të votave, duke fituar kështu 158 vende në Parlamentin grek që përbëhet nga 300 anëtarë.

“Me formimin e qeverisë nën udhëheqjen e Mitsotakis, ne shpresojmë që marrëdhëniet tona dypalëshe do të zhvillohen më tej në bazë të miqësisë midis popujve të Turqisë dhe Greqisë”, deklaroi Aksoy.

“Për këtë qëllim, ne duam të rigjallërojmë me shpejtësi kanalet ekzistuese të dialogut dhe të fillojmë kontaktet tona sa më shpejt që të jetë e mundur për të adresuar çështjet në agjendën tonë”, shtoi zëdhënësi i Ministrisë turke të Jashtme.

Zgjedhjet e parakohshme në Greqi u zhvilluan pasi kryeministri Aleksis Cipras kishte kërkuar shpërbërjen e Parlamentit pas rezultatit të dobët të partisë në pushtet në zgjedhjet e Bashkimit Europian të mbajtura në muajin maj, ku partia e tij përfundoi e dyta pas ND-së./anadolu agency