Veseli: Lufta e UÇK-së e pastër – vendimet e mëtutjeshme në shërbim të vendit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe udhëheqësi i koalicionit qeveritar, Kadri Veseli, ka reaguar për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit dhe ftesës për të nga Gjykata Speciale.
Veseli, që po qëndron në një vizitë zyrtare në SHBA ka thënë se lufta e UCK-së ka qenë e pastër dhe kjo do të dëshmohet sërish.
Kreu i PDK-së ka shkruar se vendimet e mëtutjeshme do të jenë në përudhje me interesat e qytetarëve.
“Me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj”, ka shkruar ndër të tjera Veseli, përcjell lajmi.net.
Ai ka thënë se pas dorëheqjes së Haradinajt, të gjitha vendimet e mëtutjeshme do të mërren në shërbim të interesave të mira të Kosovës.
Reagimi i plotë i Veselit pa ndërhyrje:
Me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe jam i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit tonë për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish.
Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së.
Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona.