Maqedoni

Xhaferi: Nëse Janeva është e përfshirë, rastet e PSP-së bien

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, thotë se në rast se vërtetohet përfshirja e Katica Janevës në aferën e zhvatjes, efekti do të ishte domino pasi do të krijonte problem për të gjitha çështjet që ka trajtuar kryeprokurorja speciale. Ai nuk komenton nëse Katica Janeva është e përfshirë ose jo në këtë aferë, por thotë se institucionet gjyqësore janë ato që duhet të vijnë në përfundime të tilla pasi të mbarojnë hetimet.

Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit

“Efekti domino mund të ekzistojë nëse vërtetohet implikimi i Prokurores Speciale. Kjo pasi që do të vihen në pikëpyetje të gjitha veprimet e saj të deritanishme, sado që ka bërë punën e saj siç duhet. Sigurisht se përfshirja eventuale e saj në këtë proces do të lejë një njollë të zezë në të gjithë proceset dhe hetimet paraprake që ka zhvilluar. Duhet të lejmë institucionet përkatëse që ta bëjnë punën e tyre dhe të tregojnë qartë nëse Prokuroria Speciale ka apo jo implikim në këtë rast. Në bazë të kësaj të vazhdojë krijimi i politikave apo qëndrimeve”

I pyetur nëse pushteti do të arrijë të sigurojë dy të tretën e votave për votimin e ligjit të PSP-së në Kuvend, Xhaferi nuk është më optimist shkaku i ndodhive që thotë se VMRO-ja do ti shfrytëzojë si alibi. Ai beson se do të duhet të ketë korrigjime të mëdha në ligj dhe procedura të rifillojë.

Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit

“Besoj se rasti i fundit do të jetë edhe një argument plus që opozita të mos jep mbështetje për Ligjin për Prokurorinë Speciale. Prandaj do të duhet të futemi në procedurë për miratimin e ligjit të ri i cili do të duhet ti rregullojë të gjithë këto aspekte që kanë dalë në shesh si pasojë e procesit të fundit. Pas ndryshimeve do të duhet të punohet edhe në sigurimin e dy të tretave të votave në Parlament”

I pyetur lidhur me Marrëveshjen e Prespës, Xhaferi thotë se nuk ka asnjë mundësi që ajo të abrogohet as në Greqi e as në Maqedoninë e Veriut pasi nëse ndodhë një gjë e tillë, pasojat do të ishin tejet serioze. Sipas tij, Greqia më nuk do të mund të ndikojë në procesin e hapjes së negocitave për antarësim pasi beson se nuk është në interesin e saj si shtet evropian. Ai thotë se ka gjasa për politika të caktuara të ketë devijime nga Greqia, por jo në total për antarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.