Aeroportet në Maqedoninë e Veriut kanë punuar me 71 përqind më pak udhëtarë
Aeroporti Ndërkombëtar në Shkup dhe Aeroporti “Shën Apostol Pali” në Ohër, për shkak të pandemisë së Kovid-19 vitin e kaluar e përfunduan me 782.876 udhëtarë, për 71 për qind më pak në krahasim me vitin 2019. Një nga opsionet për tejkalimin e gjendjes është që të mundësohet testim sistematik i udhëtarëve në aeroporte, të cilin e ka inicuar te Qeveria operatori i aeroportit.
“Për shkak të vendimeve të qeverive në lidhje me KOVID-19 dhe kufizimeve të udhëtimeve përgjatë botës, viti 2020 ishte vit shumë i vështirë për aviacionin, e me këtë edhe për TAV Maqedoni. Aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit ishin mbyllur për qarkullim të udhëtarëve 3,5 muaj të tërë – nga mesi i marsit 2020 deri më 1 korrik të vitit 2020. Pas hapjes së serishme, u përballëm me ndalesë për udhëtim në BE/Shengen për qytetarët nga Maqedonia e Veriut. Kjo rezultoi me uljen e numrit të udhëtarëve për 71 për qind për gjithë vitin 2020 (janar-dhjetor 2020) ose prej 2.677.618 udhëtarë në dy aeroportet e vendit tonë në vitin 2019, vitin 2020 e përfunduam me gjithsej 782.876 udhëtarë”, deklaruan për MIA-n nga TAV Maqedoni, koncesioner i aeroporteve në shtet.
Pengesa më e madhe për rimëkëmbje të komunikacionit ajror në Maqedoninë e Veriut është ndalesa për udhëtim për shkak të KOVID-19 e vendosur nga vendet e BE/Shengen për qytetarët me pasaporta të Maqedonisë së Veriut. Derisa nuk mënjanohen ato kufizime dhe njerëzit nuk fillojnë të udhëtojnë lirshëm për shkaqe turistike siç bënin paraprakisht, thonë nga TAV Maqedoni, do të përballemi me vështirësi.
Gjatë kësaj pandemie, sqarojnë, kompanitë ajrore shpejtë dhe vazhdimisht e ndryshojnë orarin e fluturimeve. Ata paralajmërojnë ndonjë fluturim, por më vonë mund ta anulojnë, varësisht rregullave për udhëtim të qeverive të vendosura për shkak të KOVID-19.
Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ka 20 linja të rregullta ajrore, deri në destinacionet: Beograd, Zagreb, Stamboll, Vjenë, Cyriu, Kiev, Berlin, Bazel, Këln, Dortmund, Aindhoven, Friedrichshafen, Mynih (Memingen), Gothenburg, Hamburg, Malmo, Frankfurt, Londër, Bruksel dhe Stokholm.
Destinacione të tjera, të tilla si Paris, Nuremberg, Baden-Baden, Turku, Kopenhagë, ishin funksionale në kohë të caktuara dhe tani janë në pauzë derisa të rifillojnë kompanitë ajrore. Nga Aeroporti i Shkupit fluturojnë kompanitë ajrore: Turkish Airlines, Wizz Air, Austrian Airlines, Air Serbia, Croatia Airlines, Vindrouz Airlines, Edelvajs dhe Çer erllajns.
Nga Aeroporti i Ohrit sipas orarit dimëror të fluturimeve tani ka fluturime deri në tre destinacione – Bazell, Dortmund dhe Cyrih, në të cilat fluturojnë Vizer dhe Çer Erllajns.
Nga TAV Maqedonia shpresojnë se me orarin veror të fluturimeve në vitin 2021, i cili fillon në fund të marsit, një pjesë e destinacioneve të tjera edhe nga Shkupi dhe nga Ohri, të cilat ishin ndërprerë me fillimin e krizës kovid, do të rinovohen.