RajoniTop Lajme

Dy pacientët e lënduar në Ferizaj dërgohen në Austri (Foto)

Shpërndaje

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar shtetin e Austrisë, që ka pranuar të marrë në trajtim dy pacientët që janë lënduar gjatë shpërthimit në Ferizaj.

Zemaj ka thënë se dy pacientët do të trajtohen në Graz të Austrisë, transmeton Telegrafi.

“E falënderoj ambasadorin austriak në Kosovë dhe ambasadorin e Kosovës në Austri, të cilët me përkushtim të madh, kanë kontribuar që të gjendet mundësia dhe përkrahja që sa më parë të nisen dy qytetarët e lënduar për trajtim”, ka shkruar ai në Facebook.

Zemaj ka pohuar se në këtë kohë të pandemisë, ishte vështirë të gjenden shtetet që do të hapnin dyert për pacientët nga Kosova.

“Situata në të cilën ndodhet tërë bota, shkaku i pandemisë, është tepër e rëndë. Shtretërit e lirë dhe emergjencat tjera, janë të stërngarkuara nga pacientët, në tërë botën. Ishte shumë e vështirë të gjenden shtete që do të mund të hapnin dyert dhe të merrnin për trajtim dy pacientët tanë.

I falënderoj të gjitha familjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Përkushtimi ynë për çdo pacientë do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Ndryshe, nga shpërthimi i një bombole gazi në Ferizaj janë lënduar 42 qytetarë, si dhe janë shkaktuar dëme të shumta materiale.