Maqedoni

Familja nga Gostivari 70 vite jeton në Sarajevë: “Shqiptarët më shumë respektohen në Bosnje, se në Maqedoni” (Video)

Shpërndaje

Televizioni shtetëror i Bosnje Hercegovinës i ka kushtuar një emision të plotë komunitetit shqiptar që jeton në këtë vend. Një pjesë e emisionit “Identitetet” i është kushtuar familjes shqiptare Fidani nga Gostivari, familje e cila jeton në Sarajevë që nga viti 1952, gati 70 vite.

Kjo familje zotëron një nga byrektoret më të njohura në Çarshinë e Sarajevës, byrektoren “Bosna”.

Në rrëfimin e tij, Mitat Fidani është shprehur se shqiptarët në Bosnje e Hercegovinë janë të respektuar si komunitet, madje më tepër se nga vendlindja prej ku vijnë.

“Më shumë na respektojnë këtu se atje prej ku vijmë, në Maqedoni. këtu kemi më shumë të drejta se ate”, ka theksuar Fidani.
Sipas tij, para luftës, në Bosnje e Hercegovinë kanë jetuar rreth 150 mijë shqiptarë, por shumë prej tyre janë larguar shkaku i luftës, transmeton gazeta Lajm.

“Ka pasur shumë shqiptarë që kanë qëndruar edhe gjatë luftës. Shumë kanë marë pjesë në luftë, disa kanë punuar. Ne kemi punuar edhe gjatë luftës”, thotë Fidani.

Ai ka folur edhe për organizimin kulturor të shqiptarëve.

“Kemi formuar edhe shoqatën tonë këtu. Shoqata quhet “Ilirida”, sipas vendit prej nga jetojmë”, shton Fidani.

Në emision ka folur edhe Muharrem Fejzullahu, ambasadori i parë i Bosnje Hercegovinës në Shqipëri, aktualisht konsull nderi i Shqipërisë në Bosnje.

Ai ka kujtuar aktivitetin si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Bosnje, por edhe për veprimtarinë gjatë luftës, kur si shoqatë kanë nxjerrë shumë shqiptarë nga Sarajeva e rrethuar duke i shpëtuar nga krimet serbe.

Emisioni e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë: