“Karnavali i Vevçanit” përplaset me policinë për shkak të grupimit në masë
Pavarësisht masave të koronavirusit të ri (COVID-19) që ndalojnë grupimin në masë, në Vevçan të Maqedonisë së Veriut është mbajtur karnavali tradicional i këtij rajoni, por pjesëmarrësit u përl*eshën me forcat policore pasi refuzuan të shpërndahen, raporton Anadolu Agency (AA).
Përplasja me policinë, ku ndërhyri edhe forca speciale, ndodhi në qendrën e fshatit, ku pjesëmarrësit e karnavalit grupohen për të shfaqur maskat e tyre, pas marshimit si zakonisht nga Mëhalla e Poshtme deri në Mëhallën e Epërme.
Edhe pse Komuna e Vevçanit si organizator kryesor i “Karnavalit të Vevçanit” anuloi mbajtjen e koncerteve dhe bëri thirrje kundër grupimeve në masë për të respektuar rregullat COVID-19 të autoriteve, ajo tha se komuna “asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe as nuk ka të drejtë të ndërhyjë, e lëre më të prolongojë festën e Shën Vasilit”.
Por, më herët, Shoqata “Vasiliçarsvo” e Mëhallës së Epërme theksoi se karnavali do të mbahet, por nuk do të ketë “shkuarje në shtëpi dhe tubime të tjera”.
Zakonisht ky manifestim provokues përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme mbahet nga 10 janari deri më 14 janar. Në dy prej pesë ditëve të planifikuara organizatorët përgadisin program aktraktiv muzikor, ndërsa sot, një ditë para përfundimit, grupe me persona të maskuar aktrojnë të maskuar rrugëve të Vevçanit.
Shumica e aktiviteteve të tjera të këtij manifestimi janë anuluar, ndërkohë nuk dihet nëse nesër do të përfundojë manifestimi si zakonisht me djegien e maskave apo edhe ai aktivitet do të anulohet shkaku i pandemisë.