RajoniTop Lajme

KQZ nis verifikimin e aplikacioneve të votuesve jashtë vendit, mbi 75% e aplikuesve janë lajmëruar në telefon

Shpërndaje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka informuar të gjithë aplikuesit që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit se ka filluar procesin e verifikimit të tyre duke i kontaktuar përmes telefonit.

Sipas njoftimit të KQZ-së, mbi 75 për qind e aplikuesve që janë kontaktuar deri më tani, janë lajmëruar në telefon.

“KQZ po kontakton aplikuesit përmes telefonit dhe nga rreth 2000 persona të kontaktuar, në thirrjet e para të realizuara, mbi 75% e aplikuesve janë lajmëruar në telefon dhe janë konfirmuar aplikimet e tyre”, thuhet në njoftim.

KQZ do të vazhdojë të kontaktojë përsëri aplikuesit në mënyrë që t’iu mundësojë verifikimin e aplikimit të tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur afatin e aplikimit të subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se gjatë kohës së rezervuar janë dorëzuar për aplikim dhe certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare.

Elezi njoftoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë.

“Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për çertifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë”, tha Elezi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Këtë listë e dorëzoi, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se sado që kjo garë do të jetë e ashpër, beson se LDK-ja do të jetë fituese.

“Besoj se është lista më e mirë në këtë garë zgjedhore. Listë e cila udhëhiqet nga kryeministri aktual dhe kryeministri i ardhshëm, Avdullah Hoti. Megjithëse do të jetë një garë e ashpër, LDK-ja do të dal fituese në këtë garë. Kemi një proces të verifikimit nga KQZ-ja, prandaj do ta presim edhe atë pastaj do të prezantojmë kandidatët”, tha Abrashi.

Për disa nga partitë politike tashmë janë bërë të ditura edhe listat e kandidatëve.

Lëvizja Vetëvendosje përmes Facebook-ut, ka publikuar listën e plotë të kandidatëve për deputetë të përbërë nga 110 emra.

Pjesë e kësaj liste është konfirmuar se janë edhe Vasfije Krasniqi, dhe babai i Arbnor e Astrit Deharit. Avni Dehari.

Ndryshe nga herët e tjera, nga LVV-ja, Besnik Bislimi i cili e dorëzoi këtë listë, tha se në këto zgjedhje nga partia e tyre do të garojnë 41 gra për deputete.

“Besoj fuqishëm se kemi arritur të përgatisim një listë, e cila e reflekton apo i përgjigjet kaq fuqishëm kësaj përkrahje nga qytetarët tanë. Ajo që është shumë më e rëndësishme është fakti që deri më sot nuk ka pas një listë të kandidatëve që ka më shumë gra. Në listën tonë janë 41 gra, secila më e mirë se tjetra. Në dhjetëshen e parë janë pesë gra e pesë burra”, tha Bislimi.

Edhe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar listën e emrave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka publikuar listën e plotë të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Listën e ka publikuar Ramush Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ai cili ka thënë se në zgjedhjet Parlamentare të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, AAK do të përfaqësohet me një listë që përbëhet prej grupmoshave të ndryshme, duke respektuar kuotën gjinore.

Sekretari organizativ nga partia Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën me emrat e deputetëve për zgjedhjet e vitit 2021.

Në një prononcim para gazetarëve ai ka thënë se ky subjekt politik do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve.

“Ne si Nisma sot e dorëzuan edhe aplikimin për zgjedhjet e vitit 2021 me kandidatë – e cila do të publikohet nesër pas miratimit nga ana e KQZ-së”, tha ai.