RajoniTop Lajme

Kurti dhe Osmani: “Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxhës, ishin kushtrimi çlirimtar i luftëtarëve të paepur”

Shpërndaje

Postimi i Albin Kurtit:

24 vjet më parë në Pestovë të Vushtrrisë u vr*anë nga policia serbe Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Ata ishin kushtrimi çlirimtar i luftëtarëve të paepur. Serbia vendoste prita vr*astare, mirëpo UÇK-ja bëhej e pandalshme. E në të njëjtën ditë, me 31 janar, por edhe shtatë vjet më herët sesa rënia heroike e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit, pra në vitin 1990, në Gjakovë, sërish policia serbe, vr*au në demonstratën për liri dhe republikë Fatmir Kërleshin dhe Xhevat Hoxhën. Lagja “Gecë” ku ranë këta dy dëshmorë sot quhet Parku i Lirisë. Në historinë tonë pothuajse nuk ka ditë dëshmori që nuk është edhe ditë e një dëshmori tjetër në një kohë tjetër. Jo vetëm shumë i lartë por edhe gjatë i shtrirë në kohë është çmimi i lirisë sonë.

Postimi i Vjosa Osmanit:

Madhështinë e lirisë sonë prej mbi njëzetë vjetësh po e ruajnë vetëm heronjtë tanë. Njëzetë e katër vjet më parë, një djalë i ri, i brumosur në frymën kombëtare, u bë kryengritësi emblematik. Studenti i asaj kohe, nuk duroi gjendjen me të cilën përballeshin bashkëkombësit, ndaj u transformua në një luftëtar të kauzës. Kishte veç një kauzë- çlirimin e Kosovës.

Sa herë që kalojmë mes për mes Prishtinës, nuk mund ta shmangim shikimin me njeriun që sot në bronz është jo veç gardian i kryeqytetit, është grishje për të kaluarën. Është kujtim, frymë dhe motiv se një kohë tjetër më e mirë po vjen.

Ai ishte heroi në qetësi. I njohur për urtësinë dhe modestinë e tij, që në fillet e luftës sonë për çlirim, padyshim u shndërrua në lajmëtar. Prandaj, lirinë e sotme ia dedikojmë atij.
Thuhet se heroizmi nuk ndodh gjithmonë nga një shpërthim lavdie, por ndonjëherë triumfet e vogla dhe zemrat e mëdha ndryshojnë rrjedhën e historisë. Zahiri, së bashku me Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën ranë në fillim të fundit të një regjimi gjeno*cidal. Të tjerët i pasuan heronjët dhe u bënë fortifikatë e lirisë.

Më shumë se dy dekada pas, Zahiri, Hakifi e Edmondi sërish dhe përherë janë në mesin tonë. Ata tashmë i kapërcejnë përmasat e heronjëve. Ata nuk janë vetëm referencë e heroizmit, por edhe e përditshmërisë sonë, të cilën fort e deshën dhe ranë për të.

Takimet e shumë njerëzve nisin dhe mbarojnë duke e pasur referencë pikërisht shtatoren e Zahirit gjë që e bën heroin të përbrendësuar në secilin prej nesh. Ai jemi ne. Kjo është e bukura e lirisë, kjo është krenaria që na jep ai, por kjo nuk është Kosova për të cilën ra ai.

Sot kemi shumë punë për të bërë që vizionin e Zahirit dhe heronjve të tjerë ta integrojmë në projektin për shtetin, duke i dhënë formë lirisë, duke i dhënë formë shtetit. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë heronjtë tanë!