Osmani për vizitë në Podgoricë, takon edhe Abazoviqin
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, realizoi takim me homologun malazez Gjorgјe Radulloviq. Në takim, sic thuhet, u riafirmuan marrëdhëniet tradicionale dhe miqësore në mes të dy vendeve. Përveç raporteve dypalëshe, janë hapur edhe temat për bashkëpunimin në kuadër të aleancës në NATO, si dhe rrumbullaksimin e perspektivës evropiane të të dyja vendeve.
“Procesi i zgjerimit të BE-së, ose të shprehem më saktë- rrumbullakimi ose bashkimi i kontinentit në një aleancë të vetme – nuk ka alternativë. Kur bëhet fjalë për anëtarësim të vendeve nga Ballkani Perëndimor në BE, nuk parashtrohet pyetja a do të anëtarësohemi, por si dhe kur!”, theksoi Osmani.
Ministri I Jashtëm Bujar Osmani, për takimet me zyrtarë të lartë të Malit të Zi, ka njoftuar përmes profilit të tij në Facebook. Duke bërë publike takimin me Kryeministrin malazez, Zdravko Krivokapiq, ai shkruan se “Kultivojmë raporte të shkëlqyera tradicionale dhe miqësore, pa çështje të hapura; motiv shtesë që të fokusohemi në bashkëpunimin ekonomik”.
Osmani është takuar edhe me Zv/Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviqin. “Nga momenti i aleancës sonë në NATO ndajmë përgjegjësinë e njëjtë për të ardhmen tonë të sigurt”. – ka shkruar Osmani në Facebook.
Por, takimi Abazoviq-Osmani, është edhe historik. Bëhet fjalë për takimin e parë të dy politikanëve shqiptarë të profilit të lartë të cilët nuk janë nga Shqipëria apo Kosova.