MaqedoniTop Lajme

Pendarovski: Regjistrimi nuk cenon të drejtat e fituara!

Shpërndaje

avarësisht rezultateve që do të sjellë regjistrimi i popullsisë, askujt nuk do t’i preken liritë dhe të drejtat e fituara në Maqedoninë e Veriut. Që të mos ketë kontestime, duhet konsensus politik, pohoi Presidenti Stevo Pendarovski në takimin e sotëm me kryetarët e komunave dhe krerëve shtetërorë. Politizimi i panevojshëm mund të jetë sfida e vetme që kemi me regjistrimin shtoi Presidenti, duke përmendur thirrjet për bojkot, licitimit me përqindjet dhe paralajmërimet për mospranim të rezultateve nëse dikujt nuk do t’i pëlqejnë numrat.

“Të drejtat dhe liritë e njeriut nuk janë privilegje që mund të humben ose të merren varësisht vullnetit të dikujt. Në një shtet demokratik, me të ardhme evropiane, të drejtat e arritura nuk guxohet të merren por vetëm të rriten dhe kjo duhet të vlejë për të gjithë qytetarët, pavarësisht numrit të tyre” tha Presidenti Pendarovski.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi theksoi se regjistrimi nuk është dhe nuk guxon të jetë politik. Apeloi tek qytetarët për bashkëpunim, duke dhënë të dhëna të sakta për anëtarët e pranishëm dhe që mungojnë në familje, e të mos provohet të japin të dhëna të rrejshme sepse kjo sanksionohet me ligj.

“Në këtë apo atë mënyrë, përsëri do të na kthehet neve si bumerang. Të mbledhim forcat, të lëmë anash të menduarin tonë egoist dhe të ngritemi mbi situatën, t’i pranojmë rezultatet e regjistrimit dhe të zhvendosemi nga ai qorrsokak ku kemi ngecur me konstruktin tonë mental, anakronik, që të mos vijë radha të bëjmë regjistrimin e banorëve të shpërngulur dhe të mbetur në Repubikën e Maqedonisë së Veriut”, pohoi kryeparlamentari Xhaferi.

Kryeministri Zoran Zaev tha se paralajmërimi i opozitës për bojkot të regjistrimit, në cilëndo formë, është vendimi më i keq që mund ta sjellë një parti politike, sepse përveç që është ligjërisht e papranueshme, sjell edhe konfuzion tek qytetarët dhe dëm tek shteti.

“Thirrja për bojkot pa dallim nëse rrejshëm është paketuar si thirrje për mospjesëmarrje apo thirrje për minim të operacionit më të rëndësishëm statistikor për vendin, është sjellje e papërgjegjshme dhe mungesë e vetëdijes elementare se me moszbatimin e regjistrimit mbetemi vendi i vetëm që nuk do të mundë të planifikojë çfarëdolloj zhvillimi në aspekt ekonomik, arsimor e kulturor”, u shpeh Zaev.

Në këtë takim koordinues me kryetarët e komunave i pranishëm ishte edhe Drejtori i Entit për Statistika, Apostoll Simovski, i cili tha se vetëqeverisja lokale është faktor kyç për zbatimin e regjistrimit, sidomos për sigurimin e logjistikës dhe organizimit. Thirrja që iu bë kryetarëve të komunave është që të kyçen në çdo aspekt dhe të ndihmojnë aq sa munden procesin e regjistrimit. /TV21