Rama dhe Oktay vizitojnë Presidencën e Industrive të Mbrojtjes së Turqisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjendet për një vizitë dyditore zyrtare në Turqi, bashkë me zv/presidentin e Turqisë, Fuat Oktay, kanë vizituar Presidencën e Industrive të Mbrojtjes së Turqisë (SSB), raporton Anadolu Agency (AA).
Rama dhe Oktay, u takuan me kreun e SSB-së, Ismail Demir, ndërsa Rama nënshkroi në librin e nderit.
Oktay, gjatë fjalës së tij në takim, duke theksuar se Turqia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie gjithëpërfshirëse që nga e kaluara, tha se në takimin që Rama ka realizuar dje me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, janë trajtuar këto marrëdhënie.
Ai njoftoi se Rama ka vizituar SSB-në për t’u informuar në lidhje me projektet për të cilat është i interesuar në përputhje me nevojat e vendit të tij. “Sot, ne po i presim ata këtu, veçanërisht në përputhje me zhvillimet në industrinë e mbrojtjes dhe nevojat e Shqipërisë. Ne do të ndajmë informacione me të, në kuadër të projekteve me të cilat interesohet dhe do të bëhen prezantimet e nevojshme”, u shpreh ai.
Zv/presidenti turk gjithashtu informoi se Rama sot do të zhvillojë një vizitë në gjigantin turk të mbrojtjes Aselsan, në lidhje me projektet dhe produktet me të cilat interesohet Shqipëria.
“Më pas, në drejtim të nevojave, do të vazhdojnë bisedimet e detajuara”, tha Oktay.
Kryeministri Rama, nga ana e tij duke falënderuar zv/presidentin turk, Oktay, u shpreh se ka nder të madh për vizitën në SSB.
Rama tha se prezantimet do t’i ndjekin me interesim të madh. “Faleminderit për kohën që keni ndarë, për bujarinë tuaj dhe për këtë mundësi”, tha Rama.
Pas fjalimeve, u bë prezantimi i projekteve që SSB po i zhvillon.