Rajoni

Ramush Haradinaj: AAK në zgjedhje shkon për Presidentin, listën zgjedhore e kemi gati

Shpërndaje

Kryetari në detyrë i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur se me vendimin për të mos kandiduar askënd për pozitën e kryeministrit janë treguar të sinqertë.

“Në këto zgjedhje Kosova tash është me ushtruese të detyrës së Presidentit. AAK dhe unë personalisht duke respektuar realitetet politike kemi vlerësuar që të ofertojmë me përgjegjësinë e presidentit dhe rolin tonë në qeveri. Është sinqeritet i yni”.

Sipas tij posti i presidentit do të jetë vendimtar për funksionimin e qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Është situatë ndryshe nga situata e zakonshme kur pas zgjedhjeve kërkohen 61 vota për ta krijuar Qeverinë. Këtë herë është sfidë më e madhe që të gjendet mundësia për 81 vota në parlament. Është interes i partisë fituese dhe të tjerave, sepse moskrijimi prej 2/3 do ta rrezikonte procesin zgjedhor”, ka thënë Haradinaj, njofton Klan Kosova.

Ai në Rubikon ka theksuar se është interes i të gjitha partive që të gjendet formula për krijimin e shumicës me mbi 80 deputetë.

“Fakti që nuk kemi ofertuar me mandatar për kryeministër dhe fakti që kemi respektuar forcën e tjerave politike që të garojnë për kryetarin e qeverisë dhe kemi ofertuar me pozitën e Presidentit është krijim i hapësirës së ndërsjellë për forcat tjera politike që ta arrijnë suksesin e synuar”.

“Tani me shkuarjen në zgjedhje gjithçka mbetet e hapur. Pas zgjedhjeve janë mundësitë e reja. Hapësira për ta manovruar për forcat politike është më e madhe. Më herët bëhej fjalë vetëm për presidentin, tani situata është ndryshe. AAK nga të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhje nuk ka kandiduar askënd për kryeministër, por shkon në zgjedhje për Presidentin”.

Haradinaj ka treguar se listën e deputetëve për zgjedhjet e reja e kanë përfunduar këtë të hënë.

“Jam bartës i listës, kemi listën me 110 kandidatë. Në listë kemi kuadro të zotët. Listën e kemi gati. Me 16 duhet dorëzuar”.