Bota

SHBA, lideri Demokrat në Senat kërkon shkarkimin e Trump-it

Shpërndaje

Lideri Demokrat në Senatin Amerikan, Chuck Schumer, kërkoi largimin e presidentit Donald Trump pas protestave të dhunshme të së mërkurës, duke thënë se ai “nuk duhet të mbajë detyrën as një ditë më gjatë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Schumer tha në një deklaratë se sulmi ndaj ndërtesës së Kongresit ishte një “kryengritje kundër Shteteve të Bashkuara, nga presidenti”.

Trump duhet të shkarkohet menjëherë nga detyra, ose me Amendamentin e 25-të, ose nëpërmjet impiçmentit, tha ai.

“Mënyra më e shpejtë dhe më efektive, e cila mund të bëhet sot, për të shkarkuar këtë president nga detyra do të ishte që nënpresidenti të invokojë menjëherë Amandamentin e 25-të. Nëse nënpresidenti dhe kabineti refuzojnë të ngrihen, Kongresi duhet të mblidhet përsëri për të kryer impiçmentin ndaj Trump-it”, tha Schumer.

Amandamenti thotë se në rast të largimit të presidentit nga detyra ose vdekjes ose dorëheqjes së tij, nënpresidenti do të bëhet president.

Presidenti mund të shkarkohet nëse nënpresidenti dhe shumica e kabinetit përcaktojnë se ai “nuk është në gjendje të kryejë kompetencat dhe detyrat” e zyrës.

Kërkesa nga Schumer erdhi pasi qindra protestues pro-Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit dje dhe dhuna pasuese rezultoi në vdekjen e katër personave.

Më shumë se 50 njerëz janë arrestuar dhe dhjetëra janë plagosur.

Trump dhe aleatët e tij politikë kanë pretenduar për muaj që zgjedhjet në SHBA ishin të manipuluara dhe “mashtrim”./ AA