Trump shpërfill shkarkimin, bën thirrje për shmangie të dhunës
Pak minuta pasi hyri në histori si i vetmi president ndaj të cilit nisin dy herë procedurat për shkarkim, Donald Trump publikoi një videomesazh në llogarinë e Shtëpisë së Bardhë në Facebook, pasi ato personale i janë bllokuar.
Presidenti nuk e përmendi fare votimin kundër tij, por bëri thirrje për paqe dhe qetësi gjatë javës së fundit të tij në pushtet para se t’i lërë vendin Joe Biden-it.
“Dhuna bie ndesh me gjithçka përfaqëson lëvizja jonë. Asnjë mbështetës i vërtetë i imi nuk mund të pranonte kurrë dhunën politike, apo të mos respektonte flamurin amerikan dhe efektivët e forcave të zbatimit të ligjit”, tha Trump.
Presidenti gjithashtu komentoi mbi mbylljen e llogarive të tij në disa platforma, si Facebook, Twitter dhe YouTube, duke i quajtur veprimet e tyre “një sulm të paprecedentë kundër fjalës së lirë”.