BotaTop Lajme

Twitter pezullon përgjithmonë llogarinë e Trump-it

Shpërndaje

Platforma e medias sociale Twitter njoftoi se ka pezulluar përgjithmonë llogarinë e presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pasi vëzhguam nga afër mesazhet e fundit dhe lidhjet e postimeve të Trump-it nga llogaria e tij dhe veçanërisht reagimet që morën këto postime, ne e pezulluam përgjithmonë këtë llogari për shkak të rrezikut për të nxitur më shumë dhunën”, njoftoi ekipi i sigurisë së Twitter.

Më tej, në njoftim theksohet se Twitter pranon mundësinë e zyrtarëve dhe liderëve botërorë të zgjedhur nga populli që të përcjellin zërin e tyre, duke u shtuar se, “Por në vitet e fundit kemi theksuar në mënyrë të qartë se llogaritë e liderëve nuk janë mbi rregullat tona dhe se nuk do të mund ta përdorin Twitter për të përhapur dhunën. Do të vazhdojmë të tregohemi transparentë lidhur me politikat dhe mënyrat tona të zbatimit”.

Teksa Twitter ka mbyllur llogarinë me emër përdoruesi “realDonaldTrump” dhe në të cilën Trump është më efektiv, në anën tjetër është parë se ka qenë aktive llogaria e emërtuar “POTUS”, e cila është një llogari zyrtare e hapur për presidentët amerikanë.

Pas bastisjes së Kongresit, të mërkurën Twitter pezulloi për 12 orë llogarinë e Trump-it dhe kishte njoftuar se llogaria do të mbyllej nëse do vazhdonin postimet që nxisin dhunë.

Edhe platformat e mediave sociale Facebook dhe Instagram gjithashtu kishin pezulluar llogaritë e presidentit në të dy platformat për shkak të përmbajtjeve të postimeve të tij.