Zgjidhje kërkohet nëpër korridoret e spitaleve! Ultimatum nga Bullgaria – Nënshkrim i Aneksit ose asgjë nga BE
Bullgaria kërkon nënshkrim të Aneksit me 12 pika ose në të kundërtën Maqedonia e Veriut të përshëndetet me shpresat për hyrje në familjen evropiane.
“Maqedonia e veriut ka mundësi për të fituar datë për fillimin e negociatave që në muajin tjetër apo në këtë muaj, janar, nëse ulen dhe nënshkruajnë aneksin e marrëveshjes që ne e propozojmë. Atje ka 12 pika që janë shumë të qarta”, theksoi Krasimir Karakaçanov – zëvendëskryeministër i Bullgarisë.
Ndërsa mes 12 pikëve që i propozon Bullgaria është edhe heqja dorë nga pretendimet historike, pakica, ndryshimet në arsim.
Gjatë kujdestarisë së mbrëmshme, ministri për punë të jashtme Bujar Osmani në rrjetin social Facebook shkroi se këshillat më të mira i merr pikërisht nëpër korridoret e spitaleve.
“Këshillat më të mira edhe për politikë të jashtme i marr nga këta njerëz në orët e vona të kujdestarisë, nëpër korridoret e klinikës, duke pritur rezultatet nga analizat”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Në intervistë për Radio Evropa e lirë, Osmani thotë se nuk mund t’i shohim fqinjët me syzet e njëjta nga e kaluara.
“Tani hyjmë në një aleancë tjetër, me shtete të tjera, në NATO dhe BE, me Bullgari, Greqi, Shqipëri, nuk mundeni ta shihni botën me syrin e njëjtë. Unë them, të mos imponohet narrativ i ri i cili do ta zëvendësojë atë të vjetrin, por të shkelet, të hapen kufizimet dhe recidivet që kanë mbetur nga historia, që janë krijuar nën pëlhurat e interesit shtetëror, por, për herë të parë, nga aspekti ndaj fqinjëve, historia të krijohet këtu në Shkup, nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut – nga maqedonasit, shqiptarët, turqit dhe të gjithë të tjerët”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Zv/kryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov ditë më parë tha se çështjet e ndjeshme politike zgjidhen në mënyrë më të vështirë në periudhë parazgjedhore dhe në fushatë, duke aluduar në zgjedhjet parlamentare që duhet të mbahen në Bullgari në muajin mars.
Nga opozitarja DPMNE thonë se ata para tre muajve kanë alarmuar se ekziston aneks për marrëveshjen. Pyesin se a po fillon shitja e identitetit maqedonas me këtë gjë?!
“Kush e ka parë non-paperin e Bullgarisë? Çfarë përmban Aneksi me 12 pikë që Qeveria po e fsheh nga opinioni? Deri ku është e gatshme Qeveria që të pranojë kërkesat parazgjedhore të Bullgarisë? A do të diskutojë Buçkovski javën e ardhshme për gjuhën dhe historinë maqedonase në Sofje? Reforma arsimore e Milla Carovskës, me të cilën hiqet lënda e historisë a po bëhet që të plotësohen kërkesat bullgare”, potencoi Stefan Andonovski nga VMRO-DPMNE.
Nga MPJ-ja njoftojnë se ministri Bujar Osmani me kolegen e tij bullgare, Ekaterina Zaharieva këtë javë është marrë vesh që gjatë ditëve në vijim të dyja palët të shkëmbejnë propozime në lidhje me planin aksionar. Shtojnë se në këtë drejtim pritet që përfaqësuesi special Vllado Buçkovski gjatë periudhës që vijon të udhëtojë shpesh në relacion Shkup – Sofje./TV21