MaqedoniTop Lajme

Besimi: Kompanitë që do të investojnë në zhvillim, nuk do t’i kthejnë fondet nga mbështetja financiare për pagat

Shpërndaje

Kompanitë nuk do të kthejnë fondet nga masa për mbështetjen financiare për pagesën e pagave për shkurt dhe mars, nëse i investojnë ato në periudhën tjetër në rritje dhe zhvillim, pavarësisht nëse do të bëjnë fitim ose humbje në fund të vitit, njoftoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në konferencën e sotme për shtyp ku u prezantua Pakoja e Pestë e masave antikrizë.

Për masën për mbështetjen financiare për pagesën e pagave për muajt shkurt dhe mars parashikohen 1.92 miliardë denarë. Masa pritet të përfshijë 60,000 punëtorë në muaj. Mbështetja financiare do të jetë me nivele dhe do të jetë nga 14,500 denarë deri në 21,776 denarë për pagën mujore të punonjësve.

Kriteri për aprovimin e masës do të jetë rezultati ekonomik, gjegjësisht rënia e të hyrave në muajt nëntor dhe dhjetor 2020 dhe janar 2021, me të njëjtët muaj përkatësisht në vitin 2019 dhe 2020.

“Sot, në Qeveri gjithashtu i kemi ligjet për pagimin e pagave për shkurt dhe mars. Risi e masës në krahasim me atë që ishte deri më tani, kompanitë që treguan sukses, gjegjësisht ato që kishin një rezultat financiar pozitiv, është dashur të kthejnë mbështetjen financiare nga fitimi i tyre, ndërsa ato që nuk treguan fitim gjatë vitit 2020, u liruan në tërësi nga shuma në rast të përmbushjes të të gjitha detyrimeve ndaj shtetit. Risia të cilën sjell kjo pako, është fokusi drejtë rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike, dhe pavarësisht nëse ato tregojnë humbje apo sukses, 50% e subvencioneve me ligj duhet të shlyhen vitin e ardhshëm, përveç nëse ato fonde investohen në periudhën e ardhshme në rritje dhe zhvillim, atëherë ato do të lirohen plotësisht. Fokusi është në investimet dhe rritjen, përveç mbështetjes së rimëkëmbjes të ekonomisë dhe sektorit privat” , deklaroi Besimi.