Departamenti Amerikan i Shtetit deklarohet për arratisjen e Mijallkovit
Departamenti Amerikan i Shtetit është prononcuar lidhur me arratisjen e ish-shefit të shërbimit sekret të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov.
DASH ka njoftuar se janë në rrjedha me zhvillimet që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut në lidhje me arratisjen e tij.
“Jemi të vetëdijshëm për këta raporte, dhe po ndjekim nga afër situatën”, deklaroi për VOA, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Villma Ruskoska në deklaratë për televizionin Sitel sonte mohoi se informacioni për paraburgimin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov të ketë dalë nga ata.
“Nuk ekziston një mundësi e tillë, sepse informacionin e parë të cilin unë e dërgova në MPB e shkruaja vetë në kabinet në orët e pasdites të së shtunës dhe nuk ishte askush në punë përveç meje. Dje, të dielën, erdhën vetëm kolegët Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov, tashmë me propozim të përgatitur për gjykatë për përcaktimin e masës së paraburgimit kështu që përveç neve të treve të dielën nuk e dinte askush. Absolutisht e përjashtoj mundësinë se informacioni ka dalë nga Prokuroria”, deklaroi Ruskoska.