Rajoni

Deputeti shqiptar, Kamberi uron Kurtin dhe Osmanin për rezultatin zgjedhor

Shpërndaje

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosjen, kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, për fitoren akoma të pakonfirmuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, njofton ALBAZONE MEDIA.

Kamberi është shprehur se për Luginën e Preshevës dhe shqiptarët në Serbi në përgjithësi, është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të jenë funksionale dhe demokratike.

“Në cilësinë e Shefit të Grupit Parlamentar ‘Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak’ dhe të kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, shpreh përkushtimin tim të plotë, për të bashkëpunuar me institucionet e reja legjislative, ekzekutive dhe presidenciale të Republikës së Kosovës, që do të dalin nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Aq më tepër duke pasur parasysh se Republika e Kosovës mbetet shembull i veçantë pozitiv në rajon, lidhur me të drejtat ligjore dhe kushtetuese që garanton për pjesëtarët e minoriteteve. Shembull që shpërfaq po ashtu asimetrinë dhe mosharmonizimin e të drejtave të minoriteteve me Republikën e Serbisë në veçanti, por edhe me shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.