Kryetari i gastronomëve: Mos t’iu shkon mendja të na mbyllni pas zgjedhjeve
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi është deklaruar rreth tubimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt.
Kllokoqi thotë se heshtja e tyre ndaj politikës nuk është frikë por maturi e çdo gastronomi.
Ai ka thënë se edhe gastronomet do të mund të organizojnë protesta, të hapin klubet, të organizojnë festivale dhe se gjitha këto nuk kanë asnjë dallim nga fushatat, por që një gjë të tillë nuk e bëjnë dhe se do të ndjekin vetëm rrugët demokratike.
Por Kllokoqi thekson se në rast se mendohet që pas zgjedhjeve të mbyllet vendi me arsyetimin e rritjes së numrit të infektuarve, atëherë protesta nuk do të ketë të ndalur. Me këtë ai ka bërë thirrje që të mendohet për shumë sektorë të cilët luftën e kanë me ekzistencën e jo me pushtetin.
“Heshtja jonë ndaj politikës nuk është frikë, besoj se është maturi e çdo Gastronomi, edhe ne mundemi me organizu protesta, edhe ne mundemi me i hapë klubet, edhe ne mundemi me organizu festivale, edhe ne mundemi me i nisë dasmat, se asgjë dallim nga fushatat eketorale të partive politike nuk kanë. Ne thjesht po dojmë me u kënaq me pak, me na lon me punu edhe me jetu … subvencionet që janë nda janë shumë joserioze, mirëpo vetës jeni t’u ia bo, se populli VOTON, na gjykojmë. Duke besuar në demokraci ne do t’i shtjerrim të gjitha rrugët demokratike të diskutimit me çdo institucion përgjegjës shtetëror, për me e ngrit zërin për hallet tona, veç për një gjë të jeni të bindur, po ju shkoj mendja me na mbyll pas zgjedhjeve me arsyetimin e rritjes së numrave ku vetë politika është shkaktari më i madh, protestat nuk do t’kenë të ndalur. Andaj, mendoni edhe për neve dhe plot sektorë tjerë që luftë e kanë ekzistencën, jo pushtetin, kur i bëni kalkulimet për vete”, ka shkruar Kllokoqi.