Kurti me videomesazh fton qytetarët të dalin në zgjedhje: Çdo votë është jetike
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka bërë apel te qytetarët e Kosovës për të dalë në votime me 14 shkurt.
Kurti ka vlerësuar lartë mobilizimin e qytetarëve nga diaspora për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Mërgata jonë po voton masivisht në këto zgjedhje. Disa kanë paguar bileta të shtrenjta të avionit, disa kanë shpenzuar qindra euro për të votuar me postë, e të tjerë kanë bërë plane për të ardhur me autobusë e makina drejtë ndryshimit të madh me 14 shkurt”, ka thënë Kurti në një videomesazh në Facebook.
Sipas Kandidatit të LVV-së për kryeministër, mërgimtarët e kanë kuptuar se se këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen.
“Sado që më zemëron padrejtësia ndaj mërgatës, zemra më mbushet me shpresë nga vullneti e dashuria e madhe që kanë ata për vendin e tyre, sepse ata e dinë se këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen, ku çdo votë e bënë ndryshimin”.
Kurti thotë se qytetarët në Kosovë nuk kanë arsye për të mos dalë në zgjedhje pasi sipas tij ata do të bëhen pjesë e historisë me 14 shkurt.
“Ne që jemi në Kosovë nuk kemi arsye për të mos dalë. Duhet të dalim të gjithë e së bashku të bëhemi pjesë e historisë me 14 shkurt”.
“Krejt do të zgjedhim dhe drejt. Duhet ta votojmë Lëvizjen Vetëvendosje me numrin 127”, ka thënë Kurti në fund të video mesazhit drejtuar qytetarëve.