Mblidhet KQZ-ja, certifikon listën votuese dhe miraton fletëvotimin
Pyetjes se sa është numri i qytetarëve me të drejtë vote që do të mund të votojnë më 14 shkurt në vendin tonë, pritet t’i jap sot përgjigje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ky institucion pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme për të certifikuar listën përfundimtare të votuesve e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve.
Lajmi është konfirmua nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se akoma nuk është caktuar ora e saktë e mbajtjes së mbledhjes, por për këtë mediet do të njoftohen me kohë.
Po ashtu, Elezi ka bërë të ditur se në këtë mbledhje do të miratohet edhe përmbajtja dhe dizajni i fletëvotimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas Planit Operacional të KQZ-së, gjatë ditës së sotme pritet të fillojë edhe votimi përmes postës, ndërsa në mbledhje pritet të bëhen të ditura edhe detajet tjera për numrin e saktë të qytetarëve që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për procesin e verifikimit të tyre përmes telefonatës.