RajoniTop Lajme

Osmani kërkon respektim të procedurave ligjore gjatë procesit të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve

Shpërndaje

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret që certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të ndodhë sa më shpejt dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore në këtë proces, në mënyrë që konstituimi i institucioneve të ndodhë sa më parë.

Osmani, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se gjatë këtyre ditëve ka takuar ambasadorë të shumtë të akredituar në Kosovë, me ç’rast është vlerësuar lart pjesëmarrja e madhe e qytetarëve të Kosovës në procesin zgjedhor të 14 shkurtit si dhe vullneti i tyre i qartë për ndryshim.

“Gjatë këtyre ditëve kam takuar ambasadorët e QUINT-it (SHBA, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Itali) si dhe atë të Bashkimit Evropian. Në të gjitha këto takime, është vlerësuar lart pjesëmarrja e madhe e qytetarëve të Kosovës në procesin zgjedhor të 14 shkurtit si dhe vullneti i tyre i qartë për ndryshim. Qytetarët e kanë ndërtuar rrugën tonë përpara, nga e cila nuk do të devijojmë në asnjë moment e në asnjë rrethanë”, ka shkruar Osmani.

“Përgjatë viteve në vijim, prioritetet tona të do të jenë zgjidhja e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë për çdo ditë, duke mbrojtur, në të njëjtën kohë, interesat e vendit tonë edhe jashtë kufijve e duke ndërtuar një imazh për shtetin me të cilin do të ndihen krenarë të gjithë qytetarët tanë por edhe aleatët tanë. Presim që çertifikimi i rezultateve të ndodhë sa më shpejtë dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore në këtë proces, në mënyrë që konstituimi i institucioneve të ndodhë sa më parë”, ka shkruar ajo.