Përfundon afati – A ka Zaevi kundërkandidat në LSDM?
Zoran Zaev kandidat i vetëm për kryetar të ri të LSDM-së në zgjedhjet brendapartiake më 21 mars
LSDM-ja kumtoi se Zoran Zaev është kandidati i vetëm për kryetar të ri partiak dhe se mbi 80.000 anëtarë me të drejtë vote do të mund të votojnë në zgjedhjet e brendshme partiake më 21 mars.
Komisioni Qendror Zgjedhor dje ka mbajtur seancë, ku janë konfirmuar dhe publikuar kandidaturat për kryetar të LSDM-së, në pajtim me Rregulloren për kriteret, mënyrën dhe procedurën për kandidimin e kryetarit të LSDM-së.
“Për shkak se nuk kishte paraqitje tjera, Komisioni Qendror Zgjedhor mori Vendim për pranimin e kandidaturës së Zaevit dhe e vërtetoi si të vetme në listën për kryetar të LSDM-së. Zgjedhjet e para të drejtpërdrejta brendapartiake do të mbahen më 21 mars. Mbi 80 mijë anëtarë me të drejtë vote do të mund të votojnë për kryetarin e ri të LSDM-së”, thuhet në kumtesë.
Paraprakisht është hapur thirrje e hapur publike për parashtrimin e kandidaturave për kryetar, ku, njofton LSDM-ja, ka mundur të paraqitet secili anëtar, që i plotëson kushtet në pajtim me Rregulloren.
“Me këtë hap të madh drejt demokratizimit dhe moderinizimit të partisë, LSDM-ja vendos standard të ri në veprimin politik në shtet, që do të kontribuojë edhe për demokratizimin e shoqërisë. Pikërsisht për këtë, LSDM-ja e gëzon besimin e qytetarëve, pikërisht për këtë fiton, por edhe vazhdimisht ndryshohet, që edhe më mirë t’u shërbejë qytetarëve dhe shtetit”, informuan nga LSDM-ja.