Rama: Mandatin e tretë e dua për juve, që të mos ju lë rrugëve. Se të jetë për Lulin, ai do gjysëm ore të bëjë flokët me xhel
Kryeministri Edi Rama ishte ditën e sotme në fshatin Qinam të Zall Herrit ku pa nga afër shtëpinë e një familje të prekur nga tërmeti. Rama tha se shpërndarja e çelësave të shtëpive të rindërtuara nuk bëhet për propagandë por për të informuar qytetarët që janë në çadra në pritje të një banese të re.
“Këta nuk kanë si ta kuptojnë punë. Kjo nuk është as propagandë. Është pjesë e informimit për të tjerë që presin në çadra. Kështu njerëzit shohin realitetin se me fjalë është e vështirë. Kështu ju shohin ju, ju shohin ku jeni. Kjo është arsyeja pse dalim ne.
Të marrësh të bësh triko duke shkepur e duke qepur është më e vështirë se të nisësh nga fillimi. Se thonë pse e doni mandatin e tretë. Mandatin e tretë e duam për të vazhduar betejat që kemi nisur, me pandeminë me infektimet.
Betejën me shëndetësinë që ta bëjmë si duhet në të gjitha drejtimet. Fshatrat kanë nevojë për punë shumë. Ka fshatra që janë pak larg dhe kanë nevojë për punë.
Për të gjitha këto arsye do vazhdojmë punën. Rëndësi ka që çfarë vjen për keq, ta kthesh për mirë. Tërmeti erdhi për keq, dhe për ju u kthyer për mirë. Se tani keni një shtëpi që nuk do e kishit bërë dot kurrë vetë”, u shpreh Rama.
Ai tha se mandati i tretë i duhet PS për të vazhduar betejat që ka nisur me procesin e rindërtimit, pandeminë, vaksinimin. Rama ironizoi PD dhe kreun e saj Lulzim Basha duke kujtuar tërmetin e nëntorit 2019.
“Fëmijët shkojnë sot në shkollat më të bukura të Shqipërisë. Po kthehet për mirë. Mirë tërmeti e mirë COVID, por se lënë as mizat gamorin e shkretë.
Po i thoja atij në Durrës që e imagjinon që gjysmë ore pas tërmetit të vijë Luli këtu. Luli është gjumë. Do veshë këpucët, do bëjë flokët me xhel ka ardhur dreka. Pastaj do hajë drekë e do dalë pak në televizor”, tha Rama.