BotaTop Lajme

Turqi, i jepet lamtumira e fundit dijetarit të shquar Muhammed Emin Saraç

Shpërndaje

Foto: Elif Öztürk / AA
Sot në Stamboll iu dha lamtumira e fundit dijetarit të shquar të hadithit, tefsirit dhe fikhut, Muhammed Emin Saraç, i cili ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).

Namazi i xhenazes u fal në Xhaminë historike Fatih, ku Saraç për 65 vite kishte dhënë mësime në fushën tefsirit, hadithit dhe fikhut, me prani të shumë figurave të larta nga sfera politike dhe fusha të tjera, përfshirë edhe presidentin e vendit, Recep Tayyip Erdoğan.

Lutja gjatë ceremonisë u lexua nga kreu i Kryesisë së Çështjeve Fetare, Ali Erbaş.

Në një fjalë rasti, presienti Erdoğan tha se gjatë vizitave që ia kishte bërë dijetarit, kishte përfituar shumë.

“Falënderoj Zotin dhe jam i lumtur që e kisha mundësinë ta njoh nga afër. Lus Zotin të na ringjallë së bashku në botën e amshueshme”, theksoi Erdoğan.

I lindur në vitin 1929 në provincën Tokat, Saraç ka dhënë mësime të tefsirit, hadithit dhe fikhut për 65 vite në Xhaminë Fatih në Stamboll dhe ka pasur qindra nxënës si nga Turqia, ashtu edhe nga jashtë.

Ai ka marrë mësimë nga dijetarë të shumtë të shquar që nga fëmijëria, si dhe nëntë vite në Egjipt.

Saraç po ashtu ka përfaqësuar Turqinë në shumë takime jashtë vendit, ndërsa mbante kontakte në fushën e dijes me Egjiptin, Sirinë, Jordaninë, Palestinën, Kuvajtin, Indinë, Pakistanin dhe vendet e tjera islame.

Saraç ndërroi jetë në një spital në Stamboll ku po trajtohej për komplikime të lidhura me moshën.