Abazoviç i prerë për Srebrenicën: Ka ndodhur genocid dhe pikë!
Zëvendës kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç deklaroi qartazi se ajo çfarë ndodhi në Srebrenicë gjatë luftës ishte genocid dhe nuk ka më vend për diskutim.
“Kush nuk e kupton këtë, nuk ka vend në pozitat shtetërore. Le të shikojmë drejt së ardhmes, kemi shumë punë për të bërë“, ka shkruar ai në Twitter.
Qëndrimi i numrit dy të qeverisë malazeze erdhi pas reagimeve të forta ndërkombëtare ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposavic, të cilat u cilësuan si mohim apo relativizim i gjenocidit në Srebrenicë. Duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti nëse, si ministër drejtësie do të ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur genocid, Leposavic tha se ai nuk mund të njihte ose të mos e njihte një ngjarje “për të cilën nuk ka njohuri”.
Fill pas kësaj, Bashkimi Europian bëri thirrje që të mos relativizohet apo mohohet genocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrim në BE duhet të jenë të gatshëm të respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të genocidit dhe krimeve të luftës. Më herët, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë ishte shprehur e shqetësuar nga pohime të tilla që vinin në dyshim atë që ka ndodhur në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë luftës së vitit 1995./Top Channel