Albin Kurti merr zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Kosovës (Video)
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, zyrtarisht ka marrë detyrën e kryeministrit të Kosovës, nga ish-kryeministri në detyrë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, raporton Anadolu Agency (AA).
Me një ceremoni solemne të mbajtur në oborrin e godinës së Qeverisë së Kosovës, Kurti dhe Hoti parakaluan pranë gardës ceremoniale të ushtrisë, ku u intonua Himni i Republikës së Kosovës, ndërsa më pas edhe formalisht u fotografuan dhe u përshëndetën në Zyrën e Kryeministrit.
Me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi gjithsej, Kurti mori drejtimin e qeverisë së re, duke u bërë për herë të dytë kryeministër i vendit.
Albin Kurti në vitin 2019 ishte zgjedhur kryeministër, por, vetëm pas 50 ditë në qeverisje, ai me një mocion mosbesimi u rrëzua nga partneri i atëhershëm qeverisës LDK.
Lëvizja Vetëvendosja u rikthye në qeverisje duke e rritur numrin e deputetëve në 58 nga 29 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2019.
Kabineti qeveritar i udhëhequr nga Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.